16 vite i paralizuar pas plagosjes, hapet GoFundMe për Denis Dollapin: Synohen 30 mijë dollarë për pajisjet mjekësore

24 August 2026, 21:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
16 vite i paralizuar pas plagosjes, hapet GoFundMe për Denis Dollapin:
Denisi dhe nena e tij

Pas më shumë se 16 vitesh nga ngjarja tragjike që i ndryshoi dramatikisht jetën, për Denis Dollapin është hapur një fushatë GoFundMe, me synimin për t’i siguruar pajisjet mjekësore dhe mbështetjen e nevojshme për të jetuar me më shumë dinjitet.

Fushata është ndërmarrë nga organizata jofitimprurëse Brandon Forever 22 Legacy, e cila u vjen në ndihmë individëve dhe familjeve që përballen me vështirësi të rënda shëndetësore dhe financiare. Donacionet e mbledhura përmes GoFundMe grumbullohen në llogari të kësaj organizate.

Denis Dollapi mbetet i paralizuar dhe ushqehet përmes sondës, ndërsa nëna e tij është kujdesur për të 24 orë në ditë për më shumë se 16 vite. Sipas organizatës, ajo ka sakrifikuar gjithçka për t’i siguruar të birit kujdesin e nevojshëm, pavarësisht vështirësive të mëdha fizike dhe financiare.

Objektivi i fushatës është mbledhja e 30 mijë dollarëve, të cilat do të përdoren për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe për të lehtësuar barrën e kujdesit të përditshëm.

Mes pajisjeve që synohet të sigurohen janë një vinç mjekësor për transportin e pacientit, i cili do të mundësonte lëvizjen e Denisit nga krevati pa e ngritur fizikisht nëna e tij, si dhe një karrocë elektrike me specifikime mjekësore, që do t’i lejonte atij të qëndronte ulur në mënyrë më të sigurt dhe të lëvizte më lehtë.

Fushata synon gjithashtu të sigurojë sonda ushqimi dhe furnizime të tjera mjekësore, ndërsa një pjesë e fondeve do të shërbejë për vizita të specializuara mjekësore dhe mbështetje afatgjatë për Denisin dhe nënën e tij.

Ngjarja që i ndryshoi jetën

Denis Dollapi u plagos rëndë më 28 prill 2010, pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, gjatë një përplasjeje fizike mes grupeve rivale të fansave të reperëve Noizy dhe Stresi. Ndërsa ky i fundit ka dhënë një tjetër version për ngjarjen.

Dollapi u sulmua nga një grup të rinjsh pas një konflikti të mëparshëm mes mbështetësve të dy kampeve rivale muzikore. Gjatë përleshjes, ku u përdorën mjete të forta, thika dhe shufra hekuri, ai u qëllua me 11 goditje me thikë në trup.

Plagët ishin aq të rënda sa Denisi përfundoi në gjendje kome. Që prej asaj dite, jeta e tij dhe e familjes së tij ndryshoi përgjithmonë.

Sot, pas 16 vitesh, fushata synon t’i japë Denisit mundësinë për të pasur pajisjet që i nevojiten dhe nënës së tij një mbështetje konkrete pas viteve të kujdesit të pandërprerë.

“Çdo kontribut kthen dinjitetin dhe lehtëson dhimbjen e kësaj familjeje”, thuhet në mesazhin e organizatës Brandon Forever 22 Legacy, e cila u bën apel qytetarëve të kontribuojnë në fushatë.

Linku ku mund të kontribuoni: https://www.gofundme.com/f/help-denis-his-mother-medical-equipments-longterm-care


Video