VIDEO/ Cristiano Ronaldo zhgënjen arabët, sheiku saudit: Pagova 200 milionë euro dhe ai nuk bën asgjë

1 Shkurt 2023, 13:17Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mesa duket Cristiano Ronaldo nuk ka patur një fillim të mbarë të aventurës së tij në Arabinë Saudite, duke përjashtuar miqësoren ndaj PSG-së, ku arriti të shënojë dy gola dhe kënaqur sauditët.

Në dy paraqitjet e para nën fanelën e Al Nassr ai nuk ka patur një rol vendimtar, ashtu siç pritej. Madje skuadra e tij u eliminua në gjysmëfinale të Superkupës së Arabisë Saudite, duke humbur 1-3 ndaj Al Ittihad.

Në atë ndeshje, portugezi pati një rast të madh në pjesën e parë, për të cilin trajneri i Al Nassr, francezi Rudi Garcia tha se Ronaldo mund të kishte ndryshuar drejtimin e lojës nëse do të kishte arritur ta shfrytëzonte.

Meqë nuk e bëri, iu desh të përballej me kritika nga media të caktuara dhe në internet filloi të qarkullonte një video, në të cilën një nga drejtorët e klubit vë në dyshim korrektësinë e vendimit të tij për t’i ofruar Ronaldos kontratën më të pasur në histori.

“Kam shpenzuar 200 milionë euro për Ronaldon dhe ai di vetëm të thotë ‘Siuu’”, komenton biznesmeni sauditi. Në video, ai është mjaft i mërzitur nga përmendja e emrit të Ronaldos teksa imiton festën e tij të famshme.

Ylli portugez do të ketë shansin e radhës për një provim korrigjues të premten, kur Al Nassr të vizitojë Al Fateh, skuadrën e gjashtë të Ligës Pro Saudite.

Video