Interi bëhet me pronarë të rinj

1 Nëntor 2025, 16:10Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Beppe Marotta, presidenti i Interit

Interi është bërë me pronarë të rinj. Klubi është zyrtarisht nën pronësi kanadeze, pas blerjes së plotë të fondit amerikan “Oaktree Capital Management” nga kompania e investimeve Brookfield.

Marrëveshja është konfirmuar dhe përfshin 100 për qind të aksioneve të Oaktree, në një operacion me vlerë rreth 3 miliardë euro. Me këtë transaksion, Brookfield bëhet pronari i ri i drejtpërdrejtë i Oaktree, dhe si rrjedhojë, kontrollon edhe klubin italian të Interit, të cilin Oaktree kishte marrë në zotërim në maj të vitit 2024.

Kalimi i pronësisë është pjesë e një procesi që ka nisur prej disa vitesh. Brookfield kishte blerë shumicën e aksioneve të Oaktree gjashtë vite më parë dhe tashmë zotëron të gjithë fondin, i cili vlerësohet në rreth 11.5 miliardë dollarë. Për rrjedhojë, ndryshimi aktual është më shumë një riorganizim korporativ, sesa një ndryshim i drejtpërdrejtë në strukturën e pronësisë së klubit italian.

Inter kaloi në administrimin e Oaktree në pranverën e kaluar, kur kompania financiare mori kontrollin e klubit pas mospagimit të një huaje nga ish-pronarët kinezë të Suning.

Pas kësaj, Oaktree emëroi Beppe Marottën në detyrën e presidentit të klubit, duke ruajtur në tërësi strukturën drejtuese ekzistuese. Brookfield ka bërë të ditur se nuk parashikon ndryshime në menaxhimin sportiv apo administrativ të Interit, duke ruajtur vazhdimësinë në drejtim dhe strategji.

 


Video