Ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare ish-futbollisti i kombëtares së Italisë dhe Juventusit, Gianluca Vialli. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në Londër ku po kurohej në një klinikë për kancerin pankreatik.
Fituesi i Ligës së Kampionëve me Juventusin, u diagnostikua me tumor në pankreas në vitin 2017 dhe së fundmi gjendja e tij u përkeqësua. Ai u shtrua në një spital në Londër, ndërkohë që familja ishte vendosur pranë tij.
Deri në dhjetor ai ishte ndihmës i Roberto Mançinit te Italia, ndërsa në nëntor ishte edhe në Shqipëri kur u luajt ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në 14 dhjetor ai u tërhoq nga detyra e tij në kombëtaren italiane për t’u trajtuar lidhur me sëmundjen e tij që fatkeqësisht i mori jetën.
“Në fund të një “negociate” të gjatë dhe të vështirë me ekipin tim të mrekullueshëm të onkologëve, kam vendosur të pezulloj, shpresoj përkohësisht, angazhimet e mia profesionale të tanishme dhe të ardhshme. Qëllimi është të përdor të gjitha energjitë psiko-fizike për të ndihmuar trupin tim të kapërcejë këtë fazë të sëmundjes, në mënyrë që të përballem sa më shpejt me aventura të reja dhe t’i ndaj me të gjithë ju. Një përqafim”-shkruante ai në mesazhin e tij të fundit.
Ai u bë një legjendë e Sampdorias dhe më pas u transferua te Juventusi ku fitoi Championsin dhe në vitin 1996 kaloi te Çelsi në Angli.
Në vitin 1999 Viali u bë trajner i Çelsit dhe pas dy vitesh kaloi te Uatfordi. Ai gjithashtu ishte pjesë e suksesit të Italisë në EURO 2020, si ndihmës-trajner i Mançinit.