Teksa protesta e sotme në Tiranë hyn në ditën e saj të gjashtë, raportuesi për Parlamentin Europian në Shqipëri, Andreas Schieder ka shprehur shqetësimin e tij për dhunën e ushtruar si nga protestuesit ashtu dhe nga policia, ndërsa bën thirrje që të ndalohet menjëherë përshkallëzimi mes dy palëve.
“Si raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë, jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në Tiranë dhe bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit.”, shkruan Schieder.
Reagimi i plotë i Andreas Schieder:
Në të gjithë Europën, të rinjtë po dalin në rrugë, nga Parisi dhe Berlini deri në Tiranë. Ata po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Kjo është e drejtë dhe e nevojshme, dhe duhet t’i nxisë qeveritë të rishikojnë qasjen e tyre. Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve.
Megjithatë, dhuna nuk është kurrë zgjidhje, pavarësisht nëse vjen nga individë të dhunshëm që depërtojnë në protesta apo nga shteti dhe policia.
Si raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë, jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në Tiranë dhe bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit.