Disa të rinj kanë nisur të grumbullohen në sheshin "Skënderbej", teksa në Tiranë pritet të nisë protesta e 7 e studentëve.
Teksa policia zbarkoi duke kryer kontrollin fizik të të rinjve, një prej tyre, gjimnazist nga gjimnazi "Isa Boletini", ka folur për mediat, duke shpalosur arsyet pse ai proteston.
Ai tha se edhe pse është nxënës me rezultate të mira, përsëri kërkon të largohet pasi në Shqipëri nuk sheh të ardhme.
I riu shtoi se fajin për situatën e kanë dhe familjaret e tyre, pasi pas kaq vitesh nuk e kanë kuptuar sipas tij, që qeveria duhet të ndryshohet.
"Unë jam një nxënës që mësoj nga gjimnazi Isa Boletini. Aty natyrisht ka dhe nxënës që nuk mësojnë dhe duan të ikin jashtë. Por edhe unë që mësoj dua të iki sepse këtu nuk shoh asnjë të ardhme. Për këtë arsye jam duke protestuar. Pse të jetoj gjysmën e jetës pa babin tim. Pse? Le të ma japë kryeministri një arsye pse duhet të vazhdoj të qëndroj këtu? Pse duhet të jap lekë që të marr diplomën dhe që të futem në punë? Pse duhet të jap lekë në spital kur kam një të afërm të sëmurë? Ne jemi vetëm për të ardhmen tonë, të protestojmë paqësisht. Nuk jemi as me PS, as me PD, me askënd tjetër. Është dhe faji i familjarëve tanë që nuk e kanë kuptuar se ky ka vite në pushtet dhe ka ardhur koha për ndryshim. E ardhmja ime është e pakuptueshme. Unë dua të vazhdoj universitetin dhe të mund të jetoj një jetë të rehatshme. Kjo që po bëhet këtu nuk është e drejtë, Ne jemi në mënyrë paqësore dhe policia po na pengon", tha ai.