Lulzim Basha vijon takimet me demokratët me nisjen e fushatës për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike.
Ish-kryedemokrati është takuar me demokratë e qytetarë të Njësisë Bashkiake Nr.4 në kryeqytet.
Për Bashën, ka ardhur koha që PD të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia, “në aleancë më SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE-në.”
Ai përsëriti thirrjet për ndarje përfundimtare nga e shkuara teksa shtoi se demokratët janë shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë.
“E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.”
E ndërsa ka që nga viti 2005 që është në politikë dhe me poste të rëndësishme, Lulzim Basha premtoi se, kësaj radhe, do të sjellë një model ndryshe nga ai konfliktual me të cilin, sipas tij, qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit.
“Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, teksa shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë”, tha ndër të tjera Basha.