Shqipëria forcon marrëdhëniet me Izraelin dhe ridënon Iranin

25 March 2026, 21:38Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shqipëria forcon marrëdhëniet me Izraelin dhe ridënon Iranin
Galit Peleg dhe Ferit Hoxha

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur se ka zhvilluar një takim produktiv me ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ku u riafirmuan marrëdhëniet e forta mes dy vendeve.

Në një reagim në platformën X, Hoxha theksoi se lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Izraelit janë të ndërtuara mbi respektin reciprok dhe solidaritetin, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria strehoi dhe mbrojti qytetarët hebrenj.

Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si ekonomia, arsimi dhe turizmi, si dhe në sektorë kyç si lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike.

“Theksuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha strategjike, përfshirë kundër-terrorizmin dhe sigurinë kibernetike”, u shpreh Hoxha.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe ndikimet e tyre në siguri, ekonomi dhe aspektin humanitar.

Hoxha theksoi se Shqipëria ndjek me vëmendje situatën dhe mbështet përpjekjet për ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Në fund, kryediplomati riafirmoi qëndrimin e Shqipërisë ndaj Iranit, duke e akuzuar regjimin për shtypje të popullit të vet, kërcënime ndaj fqinjëve dhe mbështetje të aktiviteteve terroriste.


Video