Rama: Shënim i detyruar për ata që po shfrytëzojnë protestat për të rritur ndjekësit

7 Qershor 2026, 21:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj asaj që po etiketohet si “Revolucioni i Flamingove”, duke akuzuar organizatorët dhe protestuesit për manipulim të opinionit publik dhe përdorim të çështjeve mjedisore për interesa të tjera.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë vuri në shënjestër blogerë, influencerë dhe aktivistë që, sipas tij, po shfrytëzojnë protestat për të fituar vëmendje dhe ndjekës në platformat online.

Ai akuzoi gjithashtu pjesëmarrësit në protestë për gjuhë fyese dhe intolerancë ndaj mendimeve ndryshe, duke pretenduar se komentet e drejtuara ndaj socialistëve të mbledhur në Elbasan dëshmojnë se protesta ka humbur karakterin ambientalist që pretendon të përfaqësojë.

Në fund të reagimit, kryeministri përsëriti mesazhin se projektet nuk do të tërhiqen pavarësisht kundërshtimeve.

Reagimi i Ramës:

SHËNIM I DETYRUAR

Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme????

Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota??????????????????????

 

 

 


Video