Deputetët e opozitës në bllok kanë akuzuar deputeten socialiste Milva Ekonomi se është në konflikt interesi dhe nuk duhet të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor, ku janë parashikuar dëgjesa me përfaqësues të KLSH.
Opozita e akuzon se është në konflikt interesi, pasi është përmendur në raportet e KLSH mbi kontratat koncesionare, gjatë kohësh që ka qenë drejtoreshë e FSDKSH.
Bëhet fjalë për një kontratë financiare të firmosur nga Milva Ekonomi si ish-drejtoreshë e FSDKSH-së në 2015 me kompanisë Koncensioare “Saniservice”, shërbim i cili gjatë vitit 2017-të është shtrirë në 5 spitale të Tiranës, në Shkodër dhe Elbasan.
Ina Zhupa: Një prej anëtarëve të këtij komisioni ka konflikt interesi në këtë seancë. Nuk duhet të marri pjesë. Milva Ekonomi (Ish-drejtoreshë e FSDKSH) përmendet në gjetjet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e përgatitur nga Bexhet Zeqiri, audituesi i KLSH që do të dëshmojë sot në komision. Nuk mund të jetë e pranishme në këtë seancë dëgjimore, sepse ka konflikt interesi.
Plarent Ndreca: Ne nuk jemi magjistratë, komisioni s’ka natyrën e një gjykatat kaliske. Nëse do i futeshim këtij diskutimi dhe nëse do i futemi paanshmërisë dihet kush është nga të dyja krahët. Dikush që ka krijuar një bindje paraprake për këtë hetim, dihet që është më pak i paanshëm. Kemi objekt kontrolli çështje të caktuara, jo individë të caktuar. Nëse dëshmitari ndjen se ka papajtueshmëri me një anëtarë, le ta thojë.
Ina Zhupa: Mund të jetojë Ekonomi veten. Ne do hetojmë se ca sjellje ka mbajtur FSDKSH ndaj rekomandimet e KLSH, Ekonomi ka qenë drejtoreshë, mund të hetojë veten.
Saimir Korreshi: S’mund të paragjykosh për paanshmëri ti se ne themi që fondet publike janë vjedhur. Jam dakord që ta pyesim dëshmitarin nëse ka konstatuar dokument të firmosur nga Ekonomi. Kemi të drejtë të pyesim dëshmitarin. Jam dakord të pyetet, a ka një dokument, një kontratë apo ku e di unë çfarë, të lidhur përmes ndonjë anëtarëve këtu me ndonjë subjekt që po hetohen nga ky komision.
Albana Vokshi: Vetë si individ duhet të thotë unë nuk marr pjesë. Nëse ka emrin në çdo raport të KLSH dhe vijon të jetë në seanca të pyetjeve të atyre që kanë qenë kontrollues dhe auditues, këtu ka diçka që cedon moralisht dhe shkelje ligjore. Është nënshkruar në 2018 nga Milva dhe përfaqësues me Sani Servise, shërbim që është shtrirë në 5 spitale. Ka qenë një nga koncesionarët kryesore, është firmosur fillimisht nga Beqaj, më pas kontrata financiare mes Fondit dhe Sani Servise. Ekonomi s’mund të jetë këtu, të paktën në seancën e sotme.
Milva Ekonomi i është përgjigjur akuzave, duke thënë se nuk është në konflikt interesi, ndërsa sot janë parashikuar të mbahen dëgjesa me përfaqësues të KLSH.
Ekonomi tha se kontrata që ka nënshkruar si drejtoreshë e FSDKSH në 2015 me një pre kompanive koncesionare Saniservise, ka qenë kontratë financiare. Ekonomi tha se FSDKSH nuk harton kontrata dhe s’ka qenë në procesin e përzgjedhjes së kompanive. Po ashtu ajo tha se në atë kohë nuk mbante mandatin e deputetes.
"Më rezulton se s’kam konflikt interesi. Do ishte e mira të vija me informacione për të ndihmuar këtë komision, me këtë proces pune. Qershor-Dhjetor 2015, kam marrë detyrën në FSDKSH, ka qenë detyrë e komanduar. Duke kuptuar si funksion fondi vetë, është institucion financiar që zbaton kontrata, nuk harton. E kam bërë këtë detyrë duke mos qenë deputete. Konflikt interesi lind në momentin që ti merr mandat deputeti, e kam marrë në 2017. Për periudhën që flasim s’kam konflikt interesi. Skam firmosur kontratë, kam firmosur kontratën e financimit. Skam qenë në procesin e zgjedhjes që i është bërë kompanive", tha Ekonomi.