Pasi protestoi kundër mbylljes së TikTok, Berisha: Mbyllja e Zërit të Amerikës, nuk është censurë! Ishte propagandë e tepërt

15 Mars 2025, 20:27Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kreu i PD, Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se mbyllja e “Zërit të Amerikës” me një urdhër ekzekutiv nga Donald Trump, nuk është censurë, madje sipas tij është edhe “anti-censurë”.

Këtë Berisha e tha menjëherë pasi përfundoi një protestë kundër mbylljes së TikTok-ut në Shqipëri, për çka akuzoi qeverinë se po ushtron censurë.

Por i pyetur për urdhrin e Trump, Berisha bëri një krahasim duke u shprehur se edhe nëse do të mbyllej një ditë “Radio Televizioni Shqiptar”, nuk do të kishte asnjë problem, përsa kohë ka televizione private.

“Komenti im është ky, gjatë mandatit të parë të Trump, pavarësisht se çfarë thotë propaganda kundër tij, nuk është dënuar asnjë gazetar. Fjala më e bukur që ai ka mbajtur, ka qenë fjala për censurën, garancinë që ai dha se nuk do ketë censurë.

Mbyllja e Zërit të Amerikës është çështje e një gjeopolitike globale, ata e konsiderojnë se duhet shmangur një propagandë të të tepërt. S’ka të bëjë me censurën. Nesër mund të vendoset të mbyllet televizioni shtetëror, por nëse televizionet private e kanë të gjithë hapësirën, nuk ka asnjë gjë”, u shpreh Berisha.

Video