Ministri Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim!

16 Korrik 2026, 11:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Andis Salla

Ndërsa prezantoi në Kuvend projektligjin për dëftesat tregtare për bujqësinë, ministri Andis Salla tha se ky mekanizëm financiar i shërben zhvillimit të bujqësisë dhe sjell përfitime për të gjitha palët.

Si pikë kyçe, theksoi marrëdhëniet më të sigurta mes fermerëve dhe furnizuesve pasi mbulohet i gjithë cikli ekonomik i prodhimit bujqësor.

“I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Ndërsa, instrumenti i dytë është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në këtë rast, produkti që është prodhuar dhe depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim. Në këtë mënyrë, ligji mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit bujqësor, nga mbjellja deri te shitja e produktit. Një risi tjetër e rëndësishme është se i gjithë ky mekanizëm do të funksionojë në mënyrë elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania. Dëftesat do të regjistrohen në një regjistër elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese. Përfituesi i parë është fermeri shqiptar gjithashtu furnizuesit e inputeve, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit, të cilët do të zhvillojnë marrëdhënie kontraktore më të sigurta dhe më të strukturuara me fermerët, duke ulur pasiguritë dhe duke rritur bashkëpunimin përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor. Përfitojnë institucionet financiare, pasi krijohet një instrument i qartë dhe i mbështetur në ligj, që u jep më shumë garanci në financimin e sektorit bujqësor. Përfiton e gjithë ekonomia shqiptare”, tha Salla.


Video