Ministri i Brendshëm Hoxha në takimin e Procesit të Berlinit: Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore në Ballkan

17 Shtator 2024, 21:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në takimin e Procesit të Berlinit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm të Procesit të Berlinit, bashkë me homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e BE-së të përfshira në këtë platformë.

Në këtë takim, që u zhvillua në Berlin, aty ku ky proces nisi 10 vite më parë nga Kancelarja Merkel, u diskutua mbi migracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar.

Ministri Hoxha falënderoi Gjermaninë për angazhimin dhe përkushtimin që ka në këtë iniciativë të rëndësishme dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin rajonal në kuadër të këtij Procesi.

Ministri i Brendshëm informoi se janë ndërmarrë një sërë iniciativash, që kanë rritur jo vetëm koordinimin me vendet e rajonit dhe të BE-së, por edhe angazhime të përkthyera në objektiva kombëtare bazuar në sfidat aktuale të sigurisë. Hoxha deklaroi se, për Shqipërinë mbetet shumë i rëndësishëm forcimi i mekanizmit kombëtar të riintegrimit. 

Ai propozoi krijimin e një kuadri të përbashkët për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave dhe analizave mbi flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit drejt BE-së.

Referuar bashkëpunimit operacional kundër krimit të organizuar, Hoxha tha se janë ndërmarrë 77 operacione në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, gjysma e të cilave në fushën e narkotikëve dhe trafikimit.

Gjatë këtij forumi, ministri Hoxha pati takime të veçanta me Zv.drejtorin e Përgjithshëm të DG Home, Oliver Onidi, si dhe me ministren e Shtetit për Sigurinë Kufitare dhe Azilin në Mbretërinë e Bashkuar, Angela Eagle.

Komisioneri Onidi vlerësoi progresin e Shqipërisë, që sipas tij, ka treguar përkushtim në avancimin e zbatimit të Planit të Veprimit BE-Shqipëri kundër migracionit të parregullt dhe luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor. Ai nënvizoi rolin e Shqipërisë si një ndër partnerët më të vyer në luftën kundër dukurive të paligjshme, si dhe për hapat kyç që ka ndërmarrë për sigurinë e kufijve të saj, e respektivisht, edhe sigurinë e vendeve të BE-së.

Për procesin e integrimit ai shtoi faktin se, procesi screening është i përmbyllur dhe se tashmë ka ardhur koha për të kaluar tek negociatat.

Ndërsa në takimin me ministren britanike, ministri Hoxha falënderoi për mbështetjen dhe veçoi rezultatet e arritura, falë bashkëpunimit mes dy vendeve ku po funksionon Task Forca e përbashkët, në uljen drastike të numrit të migrantëve drejt Anglisë.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu për organizimin e një dialogu të përbashkët, mbi luftën kundër krimit të organizuar, si një hap për të thelluar bashkëpunimin.

Video