LETRA e SPAK dhe GJKKO, Bardhi kërkon shkarkimin e ministrit Ervin Hoxha: Rrezikuan jetën e gjyqtarëve!

14 February 2025, 13:16Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
LETRA e SPAK dhe GJKKO, Bardhi kërkon shkarkimin e ministrit Ervin Hoxha:
Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas shkresës së Stukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme që dërguan në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme për protestën e mbajtur pak ditë më parë nga mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Bardhi akuzoi ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha se gënjeu në Kuvend për mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj protestës së organizuar gjatë gjyqit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Deputeti demokrat përmes postimit të tij në rrjetet sociale ka kërkuar shkarkimin e Hoxhës dhe ndjeken penale të tij.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm.

Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.

Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për ti ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.

Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.

E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit.

Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE.


Video