Partia e Lirisë ka depozituar në prokurorinë e Tiranës një kallëzim, ku denoncon ndërhyrjen me forcë dhe grabitjen në zyrat e saj të një harddisku me materiale.
Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Tiranës të enjten e 28 marsit dhe ai është firmosur nga kreu i partisë, Ilir Meta. Në kallëzim thuhet se grabitja ka ndodhur 22 ditë më parë, më 6 mars.
Autorët, siç thuhet në shkresën e dorëzuar nga Partia e Lirisë kanë zëvendësuar harddiskun e kamerave të sigurisë.
Ndërkohë, përmes një postimi në rrjetet sociale, nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili ngre dyshime se pas këtij sulmi qëndrojnë motive politike.
“Partia e Lirisë është përballur me një ngjarje të tipit mafioz, karakteristike e “Rilindjes”, që kërkon të Qeverisë vetëm përmes shantazhit dhe presionit.
Në zyrat e saj kanë hyrë në mesnatë persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar duke grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një paisje harddisk si dhe në mënyrë të fshehtë kanë kryer lidhje, dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.
Vasili thotë se as kjo tentativë dhe asnjë presion tjetër nuk do të ndalin Partinë e Lirisë për t’u përballur me Rilindjen dhe narkoqeverinë.
Denoncimi i Petrit Vasili:
Partia e Lirisë është përballur me një ngjarje të tipit mafioz, karakteristike e “Rilindjes”, që kërkon të Qeverisë vetëm përmes shantazhit dhe presionit.
Në zyrat e saj kanë hyrë në mesnatë persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar duke grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një pajisje DVR (hard disc) si dhe në mënyrë të fshehtë kanë kryer lidhje, dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.
Partia e Lirisë në respekt të ligjit ka depozituar denoncimin e kësaj ngjarjeje në Prokurorinë e Tiranës për hetimin dhe identifikimin e autorëve.
As kjo tentativë dhe asnjë presion nuk e ul dot ritmin dhe vendosmërinë e Partisë së Lirisë për t’u përballur me “Rilindjen” dhe mashat e saj, por përkundrazi shumëfishon energjitë e saj në betejën për përmbysjen e narkoqeverisjes rilindase.