Drafti sekret 'RAMA' për Kosovën/ Del politikani i dytë që e paska parë. Grubi: E lexova...!

10 June 2023, 17:10Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Drafti sekret 'RAMA' për Kosovën/ Del politikani i dytë
Ne foto: Edi Rama, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi foli për mediat në Shqipëri në lidhje me situatën në Shkup, ku pritet të krijohet një qeveri me bazë të gjerë.

Por Grubi u ndal dhe te zhvillimet në veri të kosovës, ku deklaroi se është një ndër personat që e ka parë draft-statutin e hartuar nga kryeministrin Rama për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Grubi zgjodhi të mos jepte detaje në lidhje me nismën, por shprehu publikisht se e mbështet atë.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut nënvizoi se iniciativa e kryeministrit Rama i hap rrugë çtensionimit të situatës në Veri dhe mund të çojë në njohjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“E lexova draftin, kisha komunikime dhe me autoritetet në Shqipëri dhe jap përkrahje të plotë për çdo përpjekje për të tejkaluar këtë situatë të krijuar në veri të Kosovës, por edhe midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe midis Kosovës dhe bashkisë ndërkombëtare dhe veçanërisht SHBA-ve në rrethanat e reja të krijuara.

Çdo iniciativë dhe nismë mbi të cilën mund të ndërtohen marrëveshje të mëtejshme është e mirëpritur. Përgëzoj kryeministrin Rama për gadishmërinë që t’i prijë këtij procesi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme. Për ne zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes dy shteteve dhe këtë e përkrahim dhe ky është qëndrimi ynë shtetëror”, tha Grubi.

Gjithashtu ai shtoi: “E kam lexuar dhe kam komunikuar me autoritetet shqiptare dhe kam përkrahje të plotë për iniciativën e kryeministrit Rama, si një nismë e mirë për të vijuar drejt zgjidhjes së problemit në Veri, por edhe përfundimisht mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke”.

Dy ditë më parë ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se e ka parë draftin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri.

Për gazetarët, Hoxhaj, i cili aktualisht është deputet i PDK-së, njëherësh edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, u shpreh se ky draft i propozuar nga kreu i qeverisë shqiptare është i rëndësishëm për zhvillimin e diskutimeve të mëtejshme.

Ai ka refuzuar që të japë komente në lidhje me këtë draft. Mbështetjen për draftin, Hoxhaj e konfirmoi më pas edhe me një status në rrjetet sociale.


Video