Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar sot në Kuvend lidhur me punën e Prokurorisë së Posaçme gjatë tre viteve të fundit.
Por gjatë pyetjeve drejtuar tij, deputeti Gazment Bardhi ka pretenduar se kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh Dumanit, përmes një funksionari publik, ku i ka kërkuar të mbyllë sa më shpejt çështjen "Xibraka".
"Rezulton sipas informacioneve që disponon grupi parlamentar i PD, se kryeministri Edi Rama përmes një shtetasi, emrin nuk po e përmend, një funksionar publik në institucionet e pavarura, ju ka përcjellë juve një mesazh që çështja "Xibraka", "të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur.
Unë dua të dëgjoj prej jush përgjigjen që i keni përcjellë mbrapsht kryeministrit. Dhe pas ndërhyrjes së kryeministrit a jepni ju garanci që kjo çështje do të hetohet në mënyrë të pavarur", deklaroi Bardhi.
Kujtojmë se Bardhi i kërkoi SPAK të rihetojë çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, për të zbuluar rolin që ka patur vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi, në grupin kriminal.
Dumani tha se çështja "Xibraka" është nën hetim, ndërsa u shpreh se nuk merr dhe nuk dërgon mesazhe me asnjë titullar shqiptar.
"Nuk mund të jap asnjë koment se çëshja është në hetim. Lidhur me marrëdhënien e kryeministrit apo çdo titullari në Shqipëri, marrëdhëniet e mija janë vetëm institucionale dhe proceduriale, nuk marr dhe nuk përcjell asnjë lloj mesazhi", u shpreh Dumani.