Berisha: Shkodra, në duart e krimit. Bandat kanë licencë nga Edi Rama

8 September 2025, 16:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha: Shkodra, në duart e krimit. Bandat kanë licencë nga Edi
Sali Berisha

Pas ngjarjes kriminale në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona e u plagosën dy të tjerë, Sali Berisha thotë se qëndrojnë banda të lidhura me shtetin, të cilat sipas kryedemokratit ishin aktive në fushatën elektorale të 11 majit për llogari të kreut të qeverisë.

“Shkodra është në duart e krimit! Bandat kanë licencë për vrasjet nga Edi Rama. Disa nga këta ishin aktivë në fushatën elektorale të Edi Ramës. Janë tërësisht banda të lidhura me shtetin, të cilat qytetin e kanë si trofe të tyre”, tha Berisha.

Kryedemokrati u ndal sërish te raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-ve, ku sipas Berishës Kryeministri Rama faktohet i përlyer në aferën korruptive të spiunazhit duke përdorur ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

“Targetin 3, lidhjen me Shestakovin, agjentin e mirëfilltë të shërbimit sekret rus, të cilit McGonigal i thotë se kemi gjetur akses te Edi Rama dhe qeveria e tij.”

Por kryedemokrati shkoi edhe më tej teksa akuzoi edhe kreun e SPAK-ut në atë që ai e cilëson aferë.

“Janë të shumtë zërat që kërkon t’i shuajë Altin Troplini, të cilin dëshmojnë se McGonigal u përfshi direkt në veting, duke marrë shuma të mëdha. A ishte Altin Troplini që e ndihmoi McGonigali të kalojë vetingun? Edhe kjo është çështje hetimi.”

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike përmes kreut të grupit parlamentar i është drejtuar zyrtarisht SPAK-ut lidhur me provat e reja të bëra publike nga drejtësia amerikane për çështjen “McGonigal”.

 


Video