Anija "Moliva" e cila mbërriti në bregun përballë Portit të Durrësit mëngjesin e së hënës, datë 28 Tetor dhe ndaloi në pritje të urdhrit për futjen në radë vazhdon të qëndrojë atje.
Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar një vend të sigurt mjedisor dhe garantimin e sigurisë fizike përmes monitorimit 24 orë me kamera të anijes.
Por autoriteti portual ka kthyer përgjigje duke thënë se nuk mund të sigurojë një hapësirë të përshtatshme, pasi mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe kërkojnë kushte të veçanta sigurie.
Për këtë, deputeti Agron Shehaj ka folur në seancën plenare ku ka kërkuar zbatimin e urdhrit të Prokurorisë së Durrësit për sekuestrimin e 102 kontejnerëve në Portin e Durrësit që dyshohet se përmbajnë mbetje toksike.
“Nuk di nëse qeveria e ka marrë vesh por jashtë portit të Durrësit ndodhet një ngarkesë me 102 kontejnerë që prokuroria e Durrësit ka kërkuar ta sekuestroni sepse dyshon që ndodhen 800 tonë mbetje toksike që dëmton jetën e qytetarëve, i përkasin KURUM-it. Ministri i Brendshme të japë llogari përse nuk zbaton urdhrin e prokurorisë.
Situata është bërë qesharake dhe talleni me qytetarë dhe dhe institucionet. Si ta bëjmë t’i sekurestrojmë në mes të detit? Zbatoni ligjin. Mirë që nuk bëni transparencë por respektoni urdhrin e prokurorisë. Doni të fshihni trafikun me mbetje toksike që keni bërë në Porti i Durrësit. Pse nuk e sekuestroni dhe bëni testimin? Sepse jeni të gjithë të përfshirë”, u shpreh ai.