
Përplasjet e dhunshme mes policisë dhe protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara Kryeministrisë, që zgjatën disa orë në ditën e pestë të protestës, kulmuan në orët e mbrëmjes me djegien e institucioneve publike dhe bizneseve private.
Me tërheqjen nga bulevardi, ku gurët drejt Policisë dhe gazi lotsjellës e uji ndaj protestuesve nuk ndalën, të rinjtë fillimisht i vunë flakën hyrjes së ish-hotel Dajtit, që tashmë është një godinë e Bankës së Shqipërisë.
Zjarrit nuk i shpëtoi as Gjykata e Lartë, në hyrje të rrugës “Myslym Shyri”. Flakët e ndezura në një biznes privat, rrezikuan dhe arkivën e kësaj gjykate, por zjarri u vu në kontroll pas ndërhyrjes nga forcat zjarrfikëse.
Në brendësi të rrugës “Myslym Shyri”, protestuesit i vunë flakën edhe filialit të një banke të nivelit të dytë dhe vijuan më pas marshimin. Ishin zjarrfikësit që vunë sërish në kontroll situatën.
Më herët gjatë përplasjes në Bulevard, në mënyrë të papritur, protestuesit arritën të fusnin aty këtë makinë nga ku morën sende e lëndë piroteknike dhe më pas e dogjën.
Përplasja prodhoi të lënduar nga të dyja anët, edhe në mesin e protestuesve, edhe efektivë të policisë. Njëri prej tyre mori flakë në pjesën e këmbës për shkak të një molotovi të hedhur, por fatmirësisht situata nuk u agravua.
Në bulevard mbërriti edhe kreu i policisë së shtetit Skënder Hita, për shkak se kryepolici i Tiranës, Oliver Torba u plagos.
Në afërsi të Kryeministrisë u panë të angazhuar edhe forcat RENEA.
Pas zhvendosjes nga Bulevardi, ashtu si protestuesit që marshojnë në qytet, dhe policia nis patrullimet në lagje të Tiranës për t’i shpërndarë dhe evituar grumbullimin e tyre.
Gjatë patrullimit u hodh gaz lotsjellës dhe u kryen arrestime.
Protesta nisi paqësisht në mëngjes përballë Ministrisë së Arsimit, te “Rruga e Durrësit”, teksa më pas thirrjet kundër qeverisë, u lanë vendin akteve të dhunës dhe përplasjeve me policinë.