
Komisioni Evropian ka miratuar një plan me pesë shtylla për të përgatitur Bashkimin Evropian për valën e ardhshme të zgjerimit, duke propozuar ndryshime nga mënyra e vendimmarrjes dhe përdorimi i vetos deri te integrimi i kandidatëve përpara anëtarësimit.
Duke prezantuar strategjinë të martën, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos tha se një BE më e madhe do të rriste peshën politike dhe ekonomike të Evropës në një periudhë konkurrence të fortë gjeopolitike.
Në fund të planit, Komisioni identifikon edhe katër kandidatët në krye të procesit: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Më pak hapësirë për veto
Pika e parë prek mënyrën se si merr vendime Bashkimi Evropian.
Komisioni kërkon përdorim më të gjerë të shumicës së cilësuar aty ku traktatet e lejojnë dhe të mekanizmave ekzistues që mundësojnë kalimin nga unanimiteti drejt votimit me shumicë.
“Është e mundur të reduktojmë numrin e fushave ku një vend i vetëm mund të vendosë veto ndaj vendimeve që të gjithë të tjerët i mbështesin”, tha Kos.
Ajo përmendi sanksionet, luftën kundër mashtrimit fiskal dhe hapat e ndërmjetëm të procesit të anëtarësimit, mes hapjes dhe mbylljes së negociatave.
Kandidatët të integrohen përpara anëtarësimit
Pika e dytë është një model më ambicioz i integrimit gradual.
Vendet kandidate që përmbushin standardet mund të përfshihen në sektorë strategjikë të BE-së përpara se të bëhen anëtare të plota.
Kos përmendi energjinë, transportin, inteligjencën artificiale, sigurinë dhe mbrojtjen.
“Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Është përshpejtuesi i zgjerimit”, tha ajo.
Pjesëmarrja do të varet nga reformat dhe përafrimi strategjik dhe do të mund të tërhiqet nëse kushtet nuk respektohen.
Të drejta të barabarta, por masa më të forta kundër regresit
Komisioni thotë se nuk kërkon krijimin e një BE-je me anëtarë të kategorive të ndryshme.
“Të gjitha shtetet anëtare do të gëzojnë të drejta të barabarta. Edhe të sapoardhurit. Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele”, tha Kos.
Megjithatë, Brukseli kërkon garanci më të forta në rast se një vend, pasi anëtarësohet, zmbrapset në sundimin e ligjit, demokraci ose të drejtat themelore.
BE-ja synon ta bëjë më të lehtë ndërprerjen e mbështetjes financiare ose kufizimin e të drejtave të votës në raste të tilla.
Një tjetër risi është propozimi që anëtarët e rinj të mos bllokojnë zgjerimet e ardhshme për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Si do të ndryshojnë politikat e BE-së
Komisioni ka analizuar gjithashtu ndikimin që anëtarët e rinj do të kishin mbi politikat ekzistuese të Bashkimit.
Sipas Kos, në shumicën e fushave BE-ja mund ta përballojë zgjerimin që tani, por disa sektorë do të kërkojnë përshtatje.
Ajo veçoi bujqësinë në rastin e Ukrainës, për shkak të madhësisë dhe produktivitetit të sektorit të saj bujqësor, duke sinjalizuar masa të posaçme për produktet më të ndjeshme.
Roadmap për Shqipërinë dhe tre kandidatët e tjerë
Pika e pestë prek drejtpërdrejt Shqipërinë.
“Ne kemi identifikuar katër vende në krye: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën”, tha Kos.
Komisioni vlerëson se këto vende kanë bërë progres të rëndësishëm në gatishmërinë për anëtarësim dhe synon që më 28 tetor, së bashku me raportet e zgjerimit, të prezantojë roadmap-e orientuese për secilin.
“Ato do të përcaktojnë hapat e ardhshëm. Do të përmbajnë afate orientuese dhe objektiva të qarta”, tha Kos.
Por ajo vendosi edhe një kufi të qartë për katër kandidatët.
Procesi do të vazhdojë të varet nga rezultatet individuale dhe përmbushja e reformave.
“Nuk do të ketë rrugë të shkurtra”, tha komisionerja.