Baret dhe klubet e natës, dikur të mbushura nga të rinjtë vendas, sot përballen me rënie të konsumit të alkoolit, ndryshim të grupmoshave që i frekuentojnë dhe varësia gjithnjë e më e madhe e konsumatorëve të huaj që vijnë në Shqipëri për turizëm.
Redi, pronar dhe banakier i “Radio-Bar Tirana” në zonën e ish-Bllokut, shprehet se brezi i ri pothuajse nuk konsumon alkool gjatë jetës së natës, por ka një prirje drejt përdorimit të drogave. Ai thekson se që pas pandemisë së Covid-19, mënyra e argëtimit dhe zakonet e konsumit të pijeve alkoolike në jetën e natës në Tiranë kanë pësuar ndryshime të ndjeshme.
Sipas tij, faktorët kryesorë të rënies së konsumit veçanërisht te moshat e reja, që janë frekuentuesit kryesorë të lokaleve të natës përfshijnë: kufizimet ligjore për heqjen e patentës në rast konsumimi të alkoolit, patrullimet e natës nga policia, si dhe emigracioni i të rinjve.
“Grupmosha nga 20 deri në 30 vjeç zakonisht në pub konsumon vetëm një pije, kryesisht të llojit spumante dhe më pas shkojnë në lokale të tjera, duke e kaluar kohën kryesisht duke bërë foto për rrjetet sociale.
Përdorimi i rrjeteve sociale është shumë i lartë, por nga ana tjetër vihet re një prirje për konsumimin e drogave të ndryshme. Ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç konsumon më shumë alkool, por daljet e tyre janë më të rralla, zakonisht dy deri në tri herë në muaj”, thotë ai.
Redi thotë se aktualisht kërkesa për pije alkoolike për të dyja grupmoshat ka rënë me 30–40% krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19.
Për të rinjtë, sipas tij, në uljen e konsumit të alkoolit kanë ndikuar disa faktorë, përfshirë politikat për heqjen e patentës, ndalimin e duhanit brenda bareve dhe klubeve, si dhe ndalimin e muzikës pas orës 12:00 të natës.
“Prej gati 10 vitesh vihet re një mungesë e organizimit të festave në klubet e natës, ku veçanërisht të rinjtë priren të organizojnë party në vila apo ambiente private.
Nëse nuk do të kishte turizëm, industria jonë do të falimentonte. Me të rinj që nuk konsumojnë alkool si brezat e mëparshëm dhe me rënie të fuqisë blerëse për shkak të vështirësive ekonomike, pra vetëm me kërkesën e vendasve, baret dhe klubet në Tiranë do të falimentonin.
Kjo është e dukshme edhe te ndryshimi i frekuentimit. Nëse më parë, periudha tetor–mars ishte periudha e bumit për klubet e natës, tashmë nga nëntori deri në mars, klubet mbahen kryesisht nga frekuentimi i turistëve.”
Sjellja sipas grupmoshave
Grupmosha nga 20 deri në 30 vjeç zakonisht në pub konsumon vetëm një pije, kryesisht të llojit spumante dhe më pas shkojnë në lokale të tjera, duke e kaluar kohën kryesisht duke bërë foto për rrjetet sociale. Përdorimi i rrjeteve sociale është shumë i lartë, por nga ana tjetër vihet re një prirje për konsumimin e drogave të ndryshme. Ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç konsumon më shumë alkool, por daljet e tyre janë më të rralla, zakonisht dy deri në tri herë në muaj
Prodhimi i rakisë shënon kulmin gjatë pandemisë së Covid-19
Të dhënat nga Doganat tregojnë se prodhimi i rakisë në Shqipëri ka shënuar një rritje historike gjatë vitit 2020, i cili përkon me fillimin e pandemisë së COVID-19. Ndërsa në 2019 ishin prodhuar rreth 353 mijë litra, në vitin 2020, prodhimi i rakisë vendase u trefishua.
Ekspertët e industrisë shpjegojnë se kjo rritje mund të lidhet me ndryshimet në konsum dhe prodhim gjatë periudhës së izolimeve dhe kufizimeve të lëvizjes, kur kërkesa për rakinë e prodhuar në shtëpi dhe konsumit në vend u rrit ndjeshëm.
Të dhënat tregojnë se pas vitit 2020, prodhimi i rakisë ka rënë ndjeshëm. Në 2021 u prodhua një sasi prej rreth 600 mijë litrash, apo 53% më pak se në vitin 2020.
Ky fenomen tregon ndikimin e jashtëzakonshëm që pandemia e Covid-19 ka pasur mbi industrinë e rakisë, duke ndryshuar jo vetëm volumin e prodhimit, por edhe tendencat e konsumit në vend.
Kurse në periudhën janar-nëntor 2025 u prodhua një sasi prej 358,5 mijë litrash raki. Krahasuar me janar-nëntor 2024, prodhimi i rakisë ra me 5.2%.
Konsumi i birrës pa alkool, një tjetër tendencë
Sipas prodhuesve, tendencat e konsumit të birrës në Shqipëri po ndryshojnë dukshëm, veçanërisht mes të rinjve. Konsumatorët e rinj janë më të ndërgjegjshëm për rreziqet e alkoolit dhe parapëlqejnë produkte cilësore dhe të larmishme. Pijet energjike dhe birra pa alkool po fitojnë terren, duke sjellë ndryshime në mënyrën se si sektori i birrës duhet të përshtatet me kërkesat e tregut.
Ardian Kostaqi, administrator i fabrikës së prodhimit të birrës “Korça”, thotë se të rinjtë, në përgjithësi, priren drejt cilësisë sesa sasisë. Sipas tij, kjo po i vë prodhuesit përpara domosdoshmërisë që të ofrojmë vazhdimisht produkte me cilësi të lartë, të pranueshme dhe të vlerësuara nga kjo kategori konsumatorësh.
“Të rinjtë parapëlqejnë një larmi shijesh birre, shpesh të pasuruara me aroma që u përshtaten më mirë shijeve dhe prirjeve të tyre.
Puna e bërë nga institucionet shtetërore për ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rreziqet që sjell konsumimi i alkoolit ka ndikuar në uljen e konsumit sasior të pijeve alkoolike.
Pijet energjike kanë shënuar trend në rritje mes të rinjve dhe përbëjnë një konkurrencë të drejtpërdrejtë për pijet alkoolike.
Një tjetër tendencë në rritje është konsumi i birrës pa alkool, e cila respektohet nga grupe të caktuara me përkatësi fetare, si dhe parapëlqehet nga të rinj të ndërgjegjshëm për rreziqet e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Në këtë kontekst, nga ana jonë është e domosdoshme të identifikojmë dhe forcojmë pikat që na lidhin me konsumatorin, si: cilësia e produktit; shumëllojshmëria e ofertës; prania në të gjitha rrjetet HoReCa dhe retail; mbajtja nën kontroll e kostove; lufta ndaj hyrjeve të pakontrolluara nga subjekte të ndryshme, veçanërisht në zonat kufitare, ku problematika nuk lidhet vetëm me sasinë e produkteve të hedhura në treg, por edhe me mospagesën e taksave, çka u mundëson këtyre subjekteve të ofrojnë çmime më të ulëta dhe dëmton tatimpaguesit e rregullt”, pohon ai. /Marrë me shkurtime nga Monitor.al