Pas një javë me temperatura të larta, do ju çojmë në një vend ku nuk të duhet kondicioner mbrëmjeve, pasi natyra ofron freskinë e saj, e cila nuk ka nevojë të vendoset në prizë.
Më pak se dy orë nga Tirana, gjendesh mes maleve, ujit të freskët dhe pemëve që janë ende të gjelbëruara.
Ndodhemi në Fushë-Studën, fshati që shtrihet brenda parkut kombëtar Shebenik – Jabllanicë, në njësinë administrative Steblevë, Librazhdë.
Rruga është tërësish e asfaltuar. Përgjatë saj 'takon' kope me bagëti, të cilat i japin një pamje edhe më të gjallë atij terreni të gjelbëruar.
Vitet e fundit zona ofron njësi akomodimi që nuk e kalojnë shifrën e 80 eurove për një familje, me mëngjes përfshirë!
Mund të gjesh vila, të ndërtuara vitet e fundit ku nuk u mungon asgjë, që e gjen në një hotel me 5 yje, po ashtu edhe shtëpi tradicionale të zonës të cilat ofrohem me qira për turistët, sidomos ata të huaj, të cilët e kërkojnë më tepër këtë eksperiencë.
Nëse je një person që bën një jetë aktive në kryeqytet, ku zhurma e përditshme të ka lodhur, aty do të gjesh qetësinë absolute për t'u mbushur sërish me energji.
Dhe nëse kalon Stëblevën, përgjatë një rruge të rrethuar nga gjelbërimi dhe livadhet e shumta, të shfaqet fshati Borovë, i cili është i famshëm për troftën e freskët, ku një nga lokalet e zonës e ka specialitet të vetin, ndaj edhe identifikohet me këtë emër.
Jo vetëm ushqimi i freskët, por edhe panorama që ofron është ndërtuar në harmoni me natyrën duke u kthyer kështu në një destinacion për shumë vizitorë familjar!
Çmimet? Surpriza e këtij udhëtimi! Me 20-40 mije lekë të vjetra mund të konsumosh një drekë të bollshme!
Kështu! Nëse kishit menduar se Librazhdi nuk të ofron gjë, jeni gabim! Në këtë periudhë pas pushimeve, do të ishte 'arratisja" ideale, për qetësi dhe një shije të mirë të produkteve të freskëta ushqimore që ofron zona!/Voxnews