Mjeshtëria shqiptare në prodhimin e maskave të karnavaleve ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ndërsa në Venecia mbahen karnevalet e këtij viti.
AFP i ka kushtuar një reportazh punishtes së maskave veneciane në Shkodër, ‘Venice Art Mask Factory’, ku çdo vit prodhohen më shumë se 20 mijë maska.
Pjesa më e madhe e këtyre maskave që punohen me dorë shkojnë përmes detit Adriatik në Venecia, ku këtë vit karnavalet i kushtohen eksploruesit Marko Polo, me rastin e 700 vjetorit të ndarjes nga jeta, që konsiderohet si një prej banorëve më ikonikë të Venecias.
“Me pupla, dantella dhe kristale Swarovski, maskat veneciane këtë vit janë bërë për të tërhequr të gjithë sytë falë elegancës së tyre shkëlqyese”, tha për AFP Edmond Angoni, pronari dhe artisti kryesor që qëndron pas Fabrikës së Maskave të Artit të Venecias.
Angoni zotëron gjithashtu 8 dyqane në Venecia ku krijimet e tij kostume, maska të praruara dhe fustane luksoze, shiten deri në 5,000 euro secila.
Ndër artikujt më të njohur këtë vit janë maskat e mëdha të kafshëve të frymëzuara nga veprat e piktorit austriak Gustav Klimt.
Çdo model i ri fillimisht skalitet në argjilë, e më pas lëmohet me shtresa letre.
Që nga hapja e dyerve të saj në 1997, studioja e Angonit ka prodhuar qindra mijëra maska, përfshirë ato të veshura në thrillerin erotik të Stanley Kubrick “Eyes Wide Shut”, me aktorë Nicole Kidman dhe Tom Cruise.
Shkodra ka një traditë të hershme të organizimit të karnavaleve, që dikur emërtoheshin si “Festa e Surretërve”. Organizimet e kësaj feste me maska datojnë në Shkodër që prej vitit 1860.