Pak javë nga vdekja e poetit të njohur shqiptar, Arben Duka, një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në familjen e tij. Denis Duka, i biri i poetit të njohur, vetëm 38 vjeç ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të një infarkti, njësoj si i ati.
Denis Duka ishte i martuar, kishte një vajzë dhe jetonte prej vitesh në SHBA.
Voxnews sjell një poezi të Arben Dukës për të birin të shkruar në vitin 2007.
Nga Arben Duka
…për Denisin
Si pikë e lotit ngjan me mua,
o Biri im-Denis,
babai nga vitet u rrëzua,
po ti m’u bëre Lis!
M’u rrite shpejt-si vetëtima,
sa më tani s’të njoh,
në çdo qelizë të qënies tënde,
unë veten time shoh!
Ndaj do të shkoj këtej i qetë,
dhe dheu do më treti,
se shpirti im i gjerë si det,
tek ti i gjithi mbeti.
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po ku i dihet jetës,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
dhe Rob i së vërtetës!
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po jeta çfarë s’punon,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
se shpirti im të mbron.
Haj-paqe Biri im i vetëm,
më shumë s’kam ç’të them,
po shpirti im ty do të mbrojë,
dhe fare kur mos jem!
Tiranë, 6.12.2007