Kanë kaluar pothuajse tre muaj nga shuplaka e famshme e Oscar-it, kur Will Smith goditi komedianin Chris Rock pas komentit që ky i fundit bëri për gruan e Smith, Jada Pinkett Smith.
Jada e cila nuk e komentoi gjestin e të shoqit asokohe, vendosi të reagojë shkurtimisht tani, teksa ndante në emisionin e saj histori të njerëzve të ndryshëm që vuajnë nga e njëjta sëmundje me të, alopecia.

Jada kërkon paqe mes tyre dhe deklarata e saj i ngjan fundit të kësaj historie. Pak javë pas ngjarjes së bujshme, Smith kërkoi ndjesë për gjestin e dhunshëm ndërsa Akademia mori vendimin për ta përjashtuar nga pjesëmarrja në Oscar për 10 vite.
"Tani, të flasim pak për natën e Oscar-it. Shpresa ime më e madhe është që këta dy burra inteligjentë të jenë të aftë të shërohen, të flasin dhe të pajtohen me njëri-tjetrin”, tha ajo me sytë drejtuar nga kamera
Pa e përmendur emrin e Rock, ajo tha se bota ka nevojë për të dy ata.
"Ne kemi nevojë për ata. Deri atëherë, Will dhe unë do të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë për 28 vite dhe të zbulojmë gjithnjë e më shumë të ashtuquajturën jetë."