Behgjet Pacolli ka rrëfyer si rrallë herë detaje nga jeta e tij personale. I ftuar në emisionin “Mirëmbrëma yje” nga Arbana Osmani, ai foli për dy vajzat e tij, duke theksuar se të dyja kanë ardhur në jetë nga marrëdhënie jashtëmartesore.
Ai shtoi se vajzat kanë ardhur në jetë nga nëna të ndryshme.
“Baba për herë të parë jam bërë në moshën 24-vjeçare. Kam dy vajza që kanë lindur nga lidhje jashtëmartesore. Arbëresha që jeton në Austri, është vajza e madhe. Ka qenë në një kohë tranzitive, pas mbarimit të studimeve dhe kohës kur shkova në shërbimin ushtarak.
Vajza tjetër ka lindur kur kam qenë 30 vjeç. Vajzat janë me dy gra të ndryshme, e para aksidentale, e rastit, e dyta e planifikuar, por e dështuar lidhja", tha ai.
Ai theksoi se shtatëzania e vajzës së parë ishte aksidentale, ndërsa e dyta e planifikuar. Po ashtu, ai bëri të ditur se vajzat e tij janë bankiere.
Më herët, biznesmeni ishte i martuar me Anna Oxa, histori që nisi në vitin 1999 dhe mbaroi në vitin 2002.
Ndërkohë sa i përket lidhjes me Oxa-n, ai është shprehur se: “Është pak emocionale të flasësh për këtë, se çdokush normal e kishte tejkaluar atë krizë. Që kur jam njohur me Anën kam pasur gjithë kohën dhe kam mbetur edhe sot me konsideratë për personalitetin e saj; i fortë, po e prerë, kryeneçe, por jashtëzakonisht humane, e sjellshme”, tregon Pacolli
“Deri në Amerikën e Jugut kemi shkuar për të gjetur zgjidhje për fëmijë. Ka qenë një presion i madh edhe nga motrat, edhe nga gratë tona. Ju e dini si janë gratë tona: “Po ça gruaje je ti që nuk bën një fëmijë?” Nëse dikush është i verbër dhe ti i thua “je i verbër”, e ke groposur, është fatale. Kjo qasje ka qenë. Njerëzit e mi, presioni i madh për fëmijë. Kjo nuk dua të paragjykoj, por kjo ishte ndoshta arsyeja e parë që çoi në një frustrim…” vijoi ai.
“Po, ishte dashuria më e madhe. Dhe më e këndshme…” – duke theksuar se 4 vitet bashkëjetesë dhe 3 martesë kanë qenë mjaft dinamike, përmbushëse për të, të lodhshme, por edhe shumë të bukura.