Një zyrtar i lartë në administratën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i ka thënë Axios se ai është “personi më luftarak në nivelet më të larta” të qeverisë së tij.
Trump ka paralajmëruar se “një civilizim do të vdesë sonte” nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me SHBA-të për t’i dhënë fund luftës në vazhdim.
“Nëse presidenti sheh që një marrëveshje po merr formë, ai ndoshta do të tërhiqet. Por vetëm ai, dhe vetëm ai, e merr atë vendim”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës, raporti i të cilit bazohet në intervista me gjashtë zyrtarë dhe burime me “njohuri të drejtpërdrejta për diplomacinë në vazhdim ose mënyrën e të menduarit të Trump”.
“Presidenti është më gjakatari, si një qen i tërbuar”, ka thënë një tjetër zyrtar i administratës amerikane, duke minimizuar raportimet se Sekretari i Luftës Pete Hegseth ose Sekretari i Shtetit Marco Rubio po e shtyjnë Trump-in drejt një qëndrimi më të ashpër. “Këta duken si pëllumba në krahasim me presidentin.”
Tucker Carlson: Establishment-i të kundërshtojë çdo urdhër të Trump për sulme ndaj civilëve
Podkasteri i krahut të djathtë amerikan Tucker Carlson, mbështetës i ndalimit të operacioneve ushtarake të SHBA-ve jashtë vendit, i bën thirrje establishment-it amerikan të kundërshtojë një urdhër të mundshëm të Donald Trump për një sulm masiv kundër civilëve iranianë.
“Tani është momenti për të thënë jo, absolutisht jo, dhe për t’i thënë drejtpërdrejt Presidentit jo”, ka deklaruar gazetari. Zyrtarët duhet t’i thonë Presidentit, shtoi ai, “rregulloje vetë me kodet e ‘football’-it (nuclear football është valixhja me komandat për të dhënë urdhër për një goditje bërthamore, që e shoqëron gjithmonë Presidentin amerikan)”.
Trump iu përgjigj, duke folur për New York Post, se Carlson “është një person me një IQ të ulët që nuk ka absolutisht asnjë ide se çfarë po ndodh”.