"Ziejnë" republikat myslimane brenda Rusisë, pasi Kadyrov deklaroi se tre senatorë rusë donin ta vrisnin

12 October 2024, 20:54Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Ziejnë" republikat myslimane brenda Rusisë, pasi Kadyrov
Ramzan Kadyrov

Tensione të larta raportohen në disa prej republikave me shumicë myslimane brenda Rusisë.

Vetëm një ditë më parë, një makinë me katër efektivë të forcave speciale antiterror të Rusisë është sulmuar në qytetin Magas të republikës së Ingushetisë, duke vrarë tre nga policët.

Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë pasi lideri çeçen Ramzan Kadyrov deklaroi se "është në gjak" me tre senatorë rusë.
Mosmarrëveshja e Kadyrov e ka origjinën në një bashkim korporatash që përfshin shitësin më të madh "online" të Rusisë, ëildberries, jashtë zyrës së të cilit në Moskë dy persona u vranë në një shkëmbim zjarri muajin e kaluar.

Lajmin e dha edhe agjencia shtetërore e lajmeve ruse, TASS, duke cituar Kadyrov i cili tha se “Nëse nuk vërtetojnë të kundërtën, unë do të deklaroj zyrtarisht gjakmarrje”.

Tatiana Kim, gruaja më e pasur e Rusisë, zotëronte 99% të ëildberries dhe tani ka rreth 65% të kompanisë së bashkuar me RVB. Ajo ka paraqitur kërkesë për divorc nga Vladislav Bakalchuk, një palë e interesuar në aksionet e ëildberries që kundërshtoi bashkimin, të cilin Kadyrov po e mbështet.
Një nga ata të të përmendur nga Kadyrov në lidhje me komplotin e dyshuar të atentatit është Suleiman Kerimov, një biznesmen i pasur dhe senator rus nga Dagestani, të cilin Bakalchuk e ka akuzuar për "kapjen" e kompanisë ëildberries.

Nuk dihet nëse kjo është një lojë për pushtet dhe para e Kadyrov, apo një deklaratë serioze që mund të çojë në zhvillime të paparashikueshme.

Ndonëse nuk ka lidhje ngjarja në Ingusheti me deklaratat nga Çeçenia, kjo tregon se sa i paqëndrueshëm mund të shndërrohet vendi që ka brenda vetes 7 republika me shumicë myslimane, ndër to Çeçenia, Ingushetia, Dagestani e të tjera.

Disa muaj më parë në Ingusheti u tentua një kryengritje, nga një grup personash të armatosur që u tha se ishin të radikalizuar. Rusia dërgoi aty grupin "antiterror" dhe pas përleshjeve arriti ta vinte situatën nën kontroll.


Video