Vdekja e 22-vjeçares, Garda Revolucionare Iraniane kërcënon protestuesit  

22 Shtator 2022, 19:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protestat ne Iran

Garda Revolucionare e Iranit u bëri thirrje të enjten organeve të drejtësisë të Republikës Islamike të ndjekin penalisht ata, që sipas saj, “përhapin lajme të rreme e thashetheme” lidhur me arsyet e vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini gjatë kohës që mbahej në paraburgim. Vdekja e saj ka shkaktuar protesta mbarëkombëtare.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit në Teheran dhe qytete të tjera të vendit dogjën stacione policore e automjete, mes një zemërimi në rritje të publikut që nuk po shuhet.

Mahsa Amini, ra në koma dhe vdiq javën e kaluar në paraburgim. Ajo u arrestua në Teheran për shkak të asaj që u cilësua si "veshje e papërshtatshme". Autoritetet kanë thënë se do të nisin një hetim mbi shkakun e vdekjes së saj.

Në një deklaratë, Garda Revolucionare i shprehte ngushëllimet familjes dhe të afërmve të 22-vjeçares.

“Kemi kërkuar nga drejtësia që të identifikojë ata që përhapin lajme të rreme dhe thashetheme në rrjetet sociale si dhe në rrugë, e që rrezikojnë sigurinë psikologjike të shoqërisë. Do përballemi me ta me vendosmëri”, thuhej në deklaratë.

Mediat iraniane njoftuan se të premten janë planifikuar të mbahen protestat pro-qeveritare.

"Vullneti i popullit iranian është ky: mos i kurseni kriminelët", shkruhej një kryeartikull të gazetës me ndikim Kayhan, një botim i linjës së ashpër.

Protestat për vdekjen e Mahsa Aminit janë më të mëdhatë e zhvilluara në Republikën Islamike që nga viti 2019. Shumica janë përqendruar në veriperëndim të Iranit të populluar nga kurdët, por janë përhapur edhe në kryeqytet e të paktën 50 qytete e qyteza, në mbarë vendin. Policia ka përdorur forcën për të shpërndarë protestuesit.

Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara kërkuan që të mbahet përgjegjësi për vdekjen e 22-vjeçares.

Video