Oligarkët rusë janë ndër personat më të goditur nga sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë për shkak të sulmit në Ukrainë, por me sa duket jo në Turqi.
Në një deklaratë të fundit që shkon kundër rrymës së izolimit të Rusisë, ministri i Jashtëm Cavusoglu deklaroi se oligarkët rusë janë të mirëpritur të investojnë në Turqi për sa kohë respektojnë ligjet ndërkombëtare.
I pyetur në një forum në Doha, diplomati turk u përgjigj se dyert e Turqisë janë të hapur për oligarkët rusë si turistë dhe si investitorë nëse zbatojnë ligjet.
Nga ana tjetër, edhe zëdhënësi i Presidencës turke Ibrahim Kalin, tha në një deklaratë ditën e sotme se Turqia dhe çdo vend tjetër duhet të ndihmojë Ukrainën dhe ti ofrojë më shumë mbështetje Kievit, por jo të prishin marrëdhëniet me Rusinë.
Sipas tij nëse të gjitha vendet prishin marrëdhëniet me Rusinë, atëherë nuk ka se kush të bisedojë me të për të në mënyrë që të arrihen negociatat.
“Nëse të gjithë i prishin marrëdhëniet me Rusinë, atëherë kush do të flasë me ta. Ukraina ka nevojë për mbështetje në çfarëdolloj forme, në mënyrë që të mbrojë veten, por Rusia duhet dëgjuar në një mënyrë ose një tjetër, në mënyrë që deklaratat e tyre të kuptohen dhe jo justifikohen” tha Ibrahim Kalin.
Turqia është një vend anëtar i NATO, e cila ka marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu dhe Ukrainën, dhe ka marrë pjesë në negociatat mes palëve.
Perëndimi i është përgjigjur Rusisë me sanksione, por Turqia ka preferuar të mos i bashkohet megjithëse ka dënuar pushtimin rus.
Gjatë javës së fundit, dy jahte gjigante në pronësi të miliarderit rus Roman Abramovich u ankoruan në Turqi.