Presidenti amerikan Donald Trump, duke folur në forumin e Iniciativës së Investimeve të Ardhshme në Miami, pretendoi se operacioni ushtarak i SHBA-ve kundër Iranit po shkonte me sukses.
Trump pretendoi se SHBA-të po “shkatërronin Iranin”.
Po ashtu ai pretendoi se Irani po “lypte të bënte një marrëveshje” mes raporteve kontradiktore në lidhje me negociatat midis dy vendeve për t’i dhënë fund konfliktit.
Eventi, i cili drejtohet nga fondi sovran i pasurisë i Arabisë Saudite, vjen ndërsa Irani ka synuar raketa dhe dronë Riadin, si dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme, ndërsa rajoni vazhdon të jetë i përfshirë nga lufta.
Trump vlerësoi mbështetjen e Arabisë Saudite, ndërsa kritikoi vendet e NATO-s për atë që e konsideroi si mbështetje të pamjaftueshme për operacionin e tij kundër Iranit.
“Jam shumë i zhgënjyer me NATO-n, por nuk u zhgënjeva nga aleatët tanë në Lindjen e Mesme”, tha Trump.
Duket se Trump nuk i del inati me NATO-n, pas refuzimit të shteteve aleate për të dërguar luftanije në Hormuz, pasi paralajmëroi se Uashingtoni mund të mos i ndihmojë në të ardhmen, nëse do t’i kërkohet diçka e tillë.
“Ata thjesht nuk ishin aty”, pohoi kreu i Shtëpisë së Bardhë. “Ne kontribuojmë me miliarda dollarë çdo vit në NATO, me qindra miliardë për t’i ndihmuar ata, dhe ne do të kishim qenë gjithmonë aty për ta. Por tani, bazuar në veprimet e tyre, mendoj se nuk na duhet ta bëjmë, apo jo!”, shtoi më tej Trump.
Që prej fillimit të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit një muaj më parë, Trump e ka shprehur vazhdimisht frustrimin mbi atë që e sheh si mungesë mbështetje dhe hezitim për të angazhuar forca nga ana e aleatëve perëndimorë, në rihapjen e ngushticës së Hormuzit, një itinerar kyç detar për tregtinë globale të naftës.
6 fuqi kryesore, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë, kanë thënë se janë gati të kontribuojnë në mënyrë të përshtatshme, por deri më tani nuk kanë bërë ndonjë hap konkret.
Komentin më të fortë kundër aleancës, Trump e bëri javën e kaluar, kur i quajti anëtarët e saj frikacakë dhe tha se NATO ishte një tigër prej letre pa SHBA.