Ministrja e mjedisit e Zvicrës, socialistja 61-vjeçare Simonetta Sommaruga, po promovon masa për të reduktuar konsumin e energjisë me 15% këtë dimër dhe një nga sugjerimet e saj është që njerëzit të bëjnë dush së bashku.
Në një intervistë për gazetën Tages Anzeiger të Zyrihut, ministrja doli me propozimin që çiftet të bëjnë dush bashkë, si masë për kursimin e energjisë elektrike.
"E di gjithsesi se sa më të moshuar të jenë çiftet aq më shumë një sugjerim si ky mund të shkaktojë një lloj hutim" – tha Sommaruga.
Ministrja zviceriane nga ana tjetër, duket se nuk e ka këtë problem pasi, pavarësisht se është e martuar me shkrimtarin Lukas Hartmann, ajo nuk e ndan shtëpinë me të.
Por, Geraldine Savary, redaktore e revistës për femra Femina, është kundër kësaj ideje. Ajo ka akuzuar ministrat se po përpiqen të “administrojnë jetën private të qytetarëve, deri në detajet më të parëndësishme”.
Ajo u tall me idenë në një editorial ironik, duke sugjeruar që zviceranët duhet të bëjnë dashuri çdo mëngjes për t’u ngrohur pasi të fikin ngrohjen gjatë natës, të bëjnë një dush të shpejtë së bashku dhe të shkojnë në zyrë “krah për krahu, pasi kanë lënë makinat, skuterin dhe biçikletat elektrike në garazh”.