Sveçla përplaset me Daçiç në takimin e ministrave të Brendshëm në Sarajevë

31 October 2025, 17:59Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sveçla përplaset me Daçiç në takimin e ministrave
Sveçla përplaset me Daçiç në takimin e ministrave të Brendshëm në Sarajevë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është përplasur me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, në kuadër të takimit të Bashkimit Evropian dhe Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në Sarajevë.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se ajo që acaroi ministrin serb Daçiç ishte momenti kur Sveçla potencoi nomenklaturën aktuale drejtuese të Serbisë, e cila praktikisht ishte në fuqi edhe gjatë kohës së Sllobodan Millosheviçit, raporton AP.

“Ai theksoi se presidenti Vuçiç, asokohe, ishte ministër i Propagandës, vetë Daçiç ishte zëdhënës i partisë së Millosheviçit, Vulin po ashtu në partinë e Mira Markoviçit, e kështu me radhë”, ka shkruar Manxhuka.

Sveçla nuk është deklaruar për këtë përplasje. Pas forumit, ai u shpreh se gjatë dy sesioneve u diskutuan sfidat e sigurisë që sjell zhvillimi i teknologjisë, veçanërisht në fushën e narkotikëve, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, si dhe çështjet që lidhen me migrimin, azilin, menaxhimin e kufijve dhe përafrimin e politikave të vizave.

“Në adresimin tim prezantova angazhimet e Republikës së Kosovës në këto fusha, si dhe sfidat e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e terrorizmit, duke refuzuar sjelljen e kryesve të këtyre akteve para drejtësisë”, deklaroi Sveçla.

Në margjinat e këtij forumi u nënshkrua edhe plani i përbashkët për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Ballkanin Perëndimor.


Video