Sot në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë. Kryeministri në detyrë Albin Kurti do të prezantojë përbërjen e qeveris dhe pritet të shihet nëse do të marrë 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.
Në rast të mos formimit, Albin Kurti do të bëhet mandatari i parë që do të dështojë për krijimin e qeverisë së re, pasi në të gjitha proceset e tjera për formimin e qeverisë mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash herën e parë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se nëse nuk ka një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re të Kosovës në seancën e sotme, atëherë ajo do të ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 votat e nevojshme. Osmani e ka mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë, pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas Kushtetutës, nëse Kurti s’arrin të formojë Qeverinë, atëherë Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.