Skandali në SHBA, CEO i Astronomer jep dorëheqjen pas zbulimit të lidhjes jashtëmartesore në koncertin e Coldplay!

19 Korrik 2025, 22:03Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur jo vetëm rrjetet sociale, por edhe botën e biznesit në SHBA.

Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas një skandali publik që shpërtheu gjatë një koncerti të grupit Coldplay në Boston.

Gjatë performancës në stadiumin “Gillette”, përpara më shumë se 55 mijë spektatorëve, fytyrat e buzëqeshura të Byron dhe të Kristin Cabot me të cilën dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore u shfaqën në ekranin gjigant të skenës.

Reagimi i tyre i sikletshëm dhe përpjekja për t’u fshehur nga kamerat u bë virale në internet, duke ndezur diskutime të shumta mbi marrëdhënien e tyre dhe ndikimin në jetën profesionale.

Pas ngjarjes, kompania Astronomer, e vlerësuar me mbi 1.3 miliardë dollarë, publikoi një deklaratë zyrtare ku konfirmonte dorëheqjen e Byron.

“Liderët tanë priten të jenë shembull si në sjellje, ashtu edhe në përgjegjësi.  Së fundmi, ky standard nuk u përmbush. Andy Byron ka paraqitur dorëheqjen dhe Bordi e ka pranuar atë”, thuhej në njoftim.

Përkohësisht, detyrën e CEO-s do ta mbajë bashkëthemeluesi dhe drejtori i produktit, Pete DeJoy, ndërsa kompania nis kërkimet për një drejtues të ri.

Byron kishte marrë drejtimin e Astronomer në korrik të vitit 2023, ndërsa kompania njihet si një pionier në fushën e DataOps dhe inteligjencës artificiale.

Megjithëse emri i saj tani është lidhur me një skandal, drejtuesit kanë theksuar se angazhimi ndaj klientëve dhe produktit mbetet i pandryshuar.

Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, ndërsa pamjet nga stadiumi janë parë nga miliona përdorues.


Video