“Rimëkëmbja ka të ngjarë të zgjasë me vite”, Erdogan jep garancinë: Do punoj me Amerikën për Gazën

14 Tetor 2025, 23:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të martën se deklarata katërpalëshe e nënshkruar në Samitin e Sharm el-Sheikh mbi Gazën një ditë më parë mund të shënojë moment të ri në rrugën drejt paqes së qëndrueshme në rajon.

“Ne treguam një vendosmëri të fortë në Sharm el-Sheikh. Shpresoj që deklarata katërpalëshe që nënshkruam me Presidentin e SHBA-së Trump, Presidentin egjiptian Al-Sisi dhe Emirin e Katarit, Sheikh Tamim, do të jetë një moment i ri në rrugën drejt paqes së qëndrueshme në rajonin tonë”, deklaroi Erdogan.

Duke iu drejtuar një aktiviteti të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në kryeqytetin Ankara, Erdogan tha se hapat për rindërtimin e Gazës do të diskutohen dhe do të vendosen së bashku me SHBA-në dhe vendet e Gjirit.

Erdogan thotë se vendi i tij do të ketë një rol të veçantë në rindërtimin e Rripit të Gazës, ndërsa konfirmon se do të bashkëpunojë dhe me Amerikën.

“Rimëkëmbja e Gazës ka të ngjarë të zgjasë me vite. Ka një periudhë ndërtimi dhe një periudhë rigjallërimi. Turqia ka një detyrë të rëndësishme si në ndërtim ashtu edhe në rigjallërim. Sigurisht, kjo do të diskutohet dhe debatohet së bashku me shtetet e Gjirit, duke filluar me Shtetet e Bashkuara, dhe ne do të vendosim për hapat që do të ndërmarrim për këtë çështje. Dëshira jonë është që hapi domethënës i djeshëm të kurorëzohet me një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Padyshim, e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është krijimi i një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe territorialisht të paprekur, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, shtoi Presidenti i Turqisë.


Video