Të tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur këtë të mërkurë, më 22 tetor, në një lokal në Manëz, ku humbën jetën dy djem të rinj, Flori Paluçi 33 vjeç dhe Aranit Kurti, 23 vjeç.
Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se Paluçi i cili ishte plagosur me armë zjarri ka qëlluar dy herë në drejtim të 21-vjeçarit D.P, por plumbat atë nuk e kanë kapur dhe ai ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, i ndihmuar nga persona të tjerë.
Pas kqyrjes së pamjeve nga ana e policisë janë zbardhur dinamikat e ngjarjes, që ka nisur pas një sherri për ekspresin e kafesë.
Nga sherri verbal për kafen te përplasja fizike jashtë lokalit
Fillimisht njëri nga personat e përfshirë, 21-vjeçari me inicialet D.P, i shoqëruar nga miku i tij 23-vjeçari Aranit Kurti, i ka kërkuar një kafe kamarierit 17-vjeçar.
Ky i fundit i është përgjigjur duke i thënë atij që ekspresi është fikur dhe se nuk mundet t’i shërbejë më. (Lokali zakonisht mbyllej në orën 00:00, por i mituri e kishte mbajtur hapur për shkak se kishte disa klientë ende brenda).
Mes tyre ka ndodhur një përplasje verbale ku ndaj të miturit janë përdorur edhe fjalë fyese, ku më pas është përfshirë edhe Flori Paluçi, i cili i ka dalë në krah kamarierit.
Të rinjtë më pas kanë dalë për t’u sqaruar jashtë ambienteve të lokalit, ku fillimisht ka ndodhur një përplasje fizike, që ka degraduar më tej edhe në përdorimin e armëve.
“Ka qenë pikërisht Aranit Kurti ka qëlluar i pari me grusht ndaj Flori Paluçit, i cili më pas ka nxjerrë armën që (dyshohet ka qenë e pa vullnetshme) ka prekur Aranit Kurtin, duke e lënë të vrarë. Më pas ka ndërhyrë D.P., i cili ka qëlluar në drejtim të Flori Paluçit, i cili ka mbetur i vdekur pas shkëmbimit të zjarrit.”, raporton Daci.
Gazetarja raporton se në kamerat e sigurisë janë parë edhe dy gjuajtje të tjera të Flori Paluçit, në drejtim të 21-vjeçarit D.P, të cilat nuk e kanë prekur atë.
Policia po ashtu ka ngritur dyshime edhe për persona të tjerë të përfshirë që kanë kryer veprën penale për “moskallëzim krimi”, pasi autoritetet nuk janë njoftuar që në momentet e para në lidhje me konfliktin.
Po ashtu ka dyshime se ka persona që e kanë ndihmuar 21-vjeçarin D.P të largohet nga vendi i ngjarjes dhe po e mbajnë të fshehur atë.
“Flori ndërhyri për të më mbrojtur mua…”, dëshmia e kamarierit
Kamarieri i përfshirë në konfliktin mes dy viktimave dhe autorit të shpallur në kërkim ka dhënë dëshminë e tij të parë për policinë, ku është shprehur se e gjitha nisi pas kërkesës për kafe, nga personi që tashmë është në kërkim, D.P.
“Ishte ora rreth 1:45, në momentin e ngjarjes ishin 5 persona. D.P hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe u thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai ma ktheu se ‘dua kafe patjetër’ dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin”, ka deklaruar kamarieri.
Dëshmia e punonjësit të karburantit, banorët të tronditur
Ndërkohë, ka folur për gazetarët dhe një punonjës i karburantit pranë lokalit ku ndodhi ngjarja.
Ai tha se kur shkoi në punë në mëngjes pa karburantin e rrethuar si skenë krimi. Ai tha se nuk i njihte mirë dy të rinjtë, por i dukeshin djem të sjellshëm.
“Unë erdha në mëngjes, e gjeta karburantin e rrethuar, që ndalohet, skenë krimi. Më thanë ka ndodhur në ngjarje, mos u afro. Nuk i njoh. Njëri nga Manza por nuk rrinë gjatë këtu. Ishin çuna të sjellshëm. Nuk e di tamam. Çfarë thonë portalet, aq di dhe unë”, u shpreh punonjësi i karburantit. I pyetur për kamerat e sigurisë, ai tha se nuk kishte informacion.
Sakaq, banorët e zonës kanë folur për Klan News, duke u shprehur të tronditur për lajmin: “Nuk i njoh. Jo nuk dimë gjë. Na ka tronditur rëndë por ndodhi. Nuk di gjë pse ka ndodhur. I njihja, bile i kam pas kushërinj. Unë nuk di gjë mandej. E kam marrë vesh në televizor. E kam patur unë kushëri Kurtin. Ishte djalë shumë i mirë.”
Një tjetër tha: “Vallaj nuk e di fare. Sdi asgjë. Unë rri në Hamalle poshtë. Na ka tronditur, por s’kam marrë vesh asgjë deri tani.”/Klan