
Presidenti Vladimir Putin doli sot sërish përpara ekranit për të njoftuar vendimin e Dhomës së Lartë të parlamentit rus, që miratoi vendimin e trupave të Moskës në Donbass.
Putin i ka bërë thirrje Ukrainës të çarmatoset, duke thënë se: “Një Ukrainë e armatosur deri në dhëmbë është kundër Rusisë dhe kjo është e papranueshme.”
Putin në fjalimin e tij, pas takimit me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Alyev, zyrtarizoi atë që u bë e qartë nga momenti i njohjes së dy republikave ruse, të Luhanskut dhe Donjetskut, përfundimin e çdo iluzioni për rifillimin e dialogut diplomatik mbi Marrëveshjen e Minskut, që si pikë kryesore kishte pikërisht shndërrimin e dy republikave në entitete autonome, po brenda territorit ukrainas.
Putin shtoi se vendimi nuk do të thotë automatikisht se trupat do të dërgohen menjëherë, por nëse do të jetë e arsyeshme.
Por pozicioni i tij ndaj Kievit mbetet i fortë, dhe dëshmon se Ukraina tashmë shihet nga Kremlini si një rrezik për sigurinë e saj.
“Zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Kievi të refuzonte vetë NATO-n, dhe të shpallej neutral”, deklaroi Putin, i cili shtoi se mundësia e armëve bërthamore taktike në territorin ukrainas do të ishte e papranueshme dhe një rrezik strategjik për Moskën.
Ligjvënësit rusë autorizuan sot presidentin Vladimir Putin për të përdorur forcën ushtarake jashtë vendit, një veprim që mund të parashikojë një sulm më të gjerë në Ukrainë pasi SHBA-të thanë se një pushtim atje ishte tashmë duke u zhvilluar.
Disa liderë evropianë thanë se trupat ruse u futën në zonat e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore pasi Putin njohu pavarësinë e tyre. Por ishte e paqartë se sa i madh ishte dislokimi, dhe Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë thënë prej kohësh se trupat ruse po luftonin në rajon, akuza që Moska gjithmonë i mohonte.
Anëtarët e dhomës së lartë, Këshilli i Federatës, votuan njëzëri për të lejuar Putinin të përdorte forcën ushtarake jashtë Rusisë, duke zyrtarizuar në mënyrë efektive një dislokim ushtarak rus në rajonet rebele, ku një konflikt tetë-vjeçar ka vrarë afro 14,000 njerëz.
Pas vendimit, Putin bëri thirrje për njohjen ndërkombëtare të Krimesë si pjesë e Rusisë, heqjen dorë të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe ndalimin e dërgesave të armëve atje. Perëndimi e ka dënuar aneksimin e Krimesë nga Rusia si një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe më parë ka refuzuar kategorikisht ndalimin e përhershëm të Ukrainës nga aleanca e NATO-s.