Dronët e prodhimit turk “Bayraktar TB2” arritën një popullaritet të madh gjatë pushtimit rus të Ukrainës, duke u konsideruar edhe si arma e mrekullive, megjithatë sot në frontin e luftës ata thuajse janë zhdukur.
Raportimet se si dronët “Bayraktar” godisnin tanket, mjetet e blinduara dhe objektivat ushtarake të armikut, me një precizion të lartë, bënë që të quheshin si e ardhmja e luftës, madje ushtarët ukrainas i dedikuan edhe një këngë.
E gjithë bota nxitoi të porosiste nga Turqia dronë, përfshi edhe Shqipërinë e Kosovën që tashmë ka arritur të blejë një një numër të pa bërë publik dronësh.
Por çfarë ndodhi me këta dronë, përse nuk i shohim më në luftë?
Pjesa më e madhe e dronëve “Bayraktar” janë shkatërruar nga sistemet anti-ajrore ruse. Ukraina kishte një flotë prej rreth 50 dronësh të modelit “TB2”, nga të cilët tashmë kanë mbetur shumë pak.
Ndërkohë, ushtria ruse pretendon se ka rrëzuar të paktën 100 dronë “Bayraktar”.
Këta dronë funksionojnë mirë në fushëbetejë, për sa kohë nuk kanë përballë sisteme të sofistikuara të mbrojtjes ajrore. Ato fluturojnë ulët dhe jo me shpejtësi të madhe, duke i bërë shënjestër të një sërë sistemesh mbrojtjeje.
Tashmë, një numër i vogël dronësh “Bayraktar” që ka mbetur në dispozicion të ushtrisë ukrainase, përdoret kryesisht për misione zbulimi.
Një tjetër lloj droni është duke dominuar tashmë fushën e betejës, dhe përdoret si nga rusët edhe nga ukrainasit me efikasitet të lartë. Ai është droni i llojit kamikaz, një përdorimësh, më i vogël dhe shumë më i lirë.