Nga Tabby Kinder në San Francisko dhe Tim Bradshaw në Londër - Financial Times
Grupet e mëdha teknologjike, përfshirë Meta, Alphabet dhe Nvidia, kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për sigurinë personale, ndërsa drejtuesit e tyre po luajnë një rol gjithnjë e më publik në politikën amerikane dhe përballen me armiqësi ndaj drejtuesve të korporatave.
Buxhetet e sigurisë për drejtuesit ekzekutivë të 10 kompanive të mëdha teknologjike të analizuar nga Financial Times u rritën në më shumë se 45 milionë dollarë në vitin 2024. Alphabet, Amazon, Meta, Nvidia dhe Palantir rritën buxhetin e mbrojtjes me më shumë se 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ekspertët e sigurisë thonë se shpenzimet dhe shqetësimet për kërcënimet ndaj bosëve të teknologjisë janë shtuar këtë vit pas sulmeve të profilit të lartë në SHBA që kanë pasur në shënjestër drejtues korporatash.
“Nuk kam parë kurrë një nivel më të lartë kërcënimi apo shqetësimi se sa sot,” tha James Hamilton, themelues i Hamilton Security, ish-agjent i FBI-së dhe ish-nënkryetar i Gavin de Becker and Associates, kompani që ka ofruar shërbime sigurie për Elon Musk dhe Jeff Bezos.
“Njerëzit po përqendrohen te drejtuesi i një kompanie si përfaqësues i gjithçkaje që nuk shkon në botë,” shtoi ai.
Një valë mbështetjeje në internet për Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e shefit të United Healthcare, Brian Thompson, vitin e kaluar, ka shkaktuar shqetësime të mëdha mes drejtuesve të biznesit për sulme të reja dhe ka detyruar kompanitë të rishikojnë protokollet e tyre të sigurisë.
Ata përmendën gjithashtu një valë tjetër kërkesash pas vrasjes me armë të katër personave në një kompleks zyrash në New York, në korrik. Autori kishte në shënjestër Ligën Kombëtare të Futbollit (NFL) për shkak të një pakënaqësie që kishte me organizatën, sipas zyrtarëve të qytetit.
“Gjysma e parë e këtij viti ka qenë po aq e ngarkuar për ne sa i gjithë viti 2024,” tha Joe LaSorsa, themelues i kompanisë LaSorsa Security & Associates, e specializuar në mbrojtjen e drejtuesve ekzekutivë.
Ai shtoi se kompania ka marrë pesë herë më shumë kërkesa për vlerësime rreziku gjatë muajve të fundit dhe ka regjistruar një “rritje të jashtëzakonshme” të sulmeve ndaj banesave të drejtuesve.
Drejtuesit e teknologjisë janë veçanërisht të cenueshëm për shkak të famës së tyre, si dhe për shkak të armiqësisë publike ndaj fitimeve nga korporatat, pushimeve nga puna, keqpërdorimit të të dhënave dhe rolit të tyre gjithnjë e më të madh politik që nga fushata presidenciale e vitit 2024.
Sektori i teknologjisë ka pasur rritjen më të madhe të kompanive që zbatojnë masa sigurie për drejtuesit, me një rritje prej 73.5 për qind të përfituesve nga viti 2020 deri në 2024, sipas një raporti nga Equilar.
Meta ka pasur prej kohësh faturën më të lartë të sigurisë ndër kompanitë e mëdha teknologjike. Kompania mëmë e Facebook ka paguar më shumë se 27 milionë dollarë në vitin 2024, nga 24 milionë dollarë një vit më parë, për sigurinë personale të Mark Zuckerberg dhe familjes së tij, përfshirë rezidencat dhe udhëtimet, sipas deklarimeve zyrtare.
Kostot e Meta janë dukshëm më të larta se ato të konkurrentëve, sepse kompania ka rënë dakord të ofrojë siguri direkte për anëtarët e familjes së Zuckerberg, jo vetëm për vetë drejtuesin ekzekutiv.
Si drejtues ekzekutiv dhe themelues i Facebook, Zuckerberg ka ruajtur fuqinë shumicë në votime, gjë që i jep ndikim më të madh në vendimet e bordit krahasuar me homologët e tij.
Figurat të tjera të profilit të lartë si Jeff Bezos dhe Elon Musk paguajnë shuma të mëdha për sigurinë personale, e cila është e ndarë nga shpenzimet e raportuara publikisht nga kompanitë e tyre.
Pagat jashtëzakonisht të larta dhe shpërblimet në aksione të raportuara publikisht i bëjnë drejtuesit e teknologjisë veçanërisht të cenueshëm. Rritja e aksioneve teknologjike gjatë viteve të fundit ka sjellë pagesa shumë miliardëshe për disa drejtues.
Pasuria personale e drejtuesit të Palantir, Alex Karp, u rrit me gati 7 miliardë dollarë në vitin 2024. Karp ka marrë kërcënime me vdekje për shkak të punës së grupit të inteligjencës së të dhënave për ushtrinë izraelite, ndërkohë që zyrat e kompanisë në Silicon Valley janë vandalizuar gjatë protestave kundër kontratave të Palantir me autoritetet amerikane të emigracionit, sipas burimeve të njohura me çështjen.
Karp ka një ekip sigurie 24/7 dhe është parë me deri katër truproja njëherësh.
Pasuria e drejtuesit të Nvidia, Jensen Huang, ka arritur në më shumë se 153 miliardë dollarë, ndërsa kompania e çipave u bë e para me vlerë 4 trilionë dollarë muajin e kaluar. Nvidia ka shpenzuar 3.5 milionë dollarë për sigurinë e Huang në vitin 2024, nga 2.2 milionë dollarë në 2023.
Një person i afërt me Nvidia tha se siguria e Huang është shtuar me rritjen e famës së tij, e nxitur nga roli i tij i dukshëm në lobimin ndaj administratës Trump për eksportet e çipave të inteligjencës artificiale në Kinë dhe nga rritja e çmimit të aksioneve të kompanisë.
Huang është shfaqur si një nga figurat kryesore të entuziazmit rreth bumit të Inteligjencës Artificiale dhe njihet për angazhimin e tij me fansat, gjë që mund ta rrisë rrezikun. Fansat janë parë duke e rrethuar në tualetin e konferencës vjetore GTC të kompanisë në Kaliforni, në mars.
Ndërkohë, Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, ka zgjeruar ndjeshëm sigurinë personale vitet e fundit për shkak të kërcënimeve për vdekje dhe ndjekësve obsesivë.
Profili i tij publik u rrit edhe më shumë vitin e kaluar pasi u bë donatori më i madh i Presidentit Donald Trump dhe mbështeti aktivistët e djathtë në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar përmes platformës së tij sociale, X.
“Faktikisht kemi pasur dy maniakë gjatë shtatë muajve të fundit që erdhën me synimin për të më vrarë,” u tha Musk aksionarëve të Tesla-s vitin e kaluar.
Musk tani udhëton me deri në 20 profesionistë sigurie, sipas burimeve të njohura me çështjen. Vitin e kaluar, ai themeloi kompaninë e tij të sigurisë, Foundation Security.
Tesla raportoi se kishte shpenzuar 2.4 milionë dollarë për sigurinë e Musk në vitin 2023 dhe kishte angazhuar kompaninë e tij të sigurisë. Në vitin 2024, raportoi vetëm 500,000 dollarë, por shtoi se kjo përfaqësonte vetëm një pjesë të vogël të kostove reale të sigurisë së tij.
Kompanitë private të Musk, përfshirë SpaceX dhe xAI, nuk zbulojnë se sa shpenzojnë për mbrojtjen e tij.
Amazon ka paguar 1.6 milionë dollarë në vit për sigurinë e Jeff Bezos që prej të paktën vitit 2010. Vitin e kaluar, kompania pagoi gjithashtu 1.1 milionë dollarë për drejtuesin ekzekutiv Andy Jassy, nga 986 mijë dollarë një vit më parë.
Bezos ka qenë shpesh në qendër të kritikave publike për pasurinë e tij personale, marrëveshjet tatimore dhe qasjen e kompanisë ndaj çështjeve si të drejtat e punëtorëve. Grupi i tregtisë elektronike instaloi panele antiplumb me trashësi 1.5 inç në selinë e tij në Seattle në fillim të vitit 2019, disa vite para se Bezos të largohej nga posti i drejtuesit ekzekutiv.
Megjithatë, jo të gjithë drejtuesit e teknologjisë rritën shpenzimet për siguri vitin e kaluar. Palo Alto Networks i dyfishoi shpenzimet për sigurinë e drejtorit ekzekutiv Nikesh Arora në vitin 2023 në 3.5 milionë dollarë, por i uli në 1.6 milionë dollarë në vitin 2024. Edhe kostot e sigurisë për Tim Cook, drejtuesin e Apple, ranë nga 2.4 milionë dollarë në 2023 në 1.4 milionë dollarë vitin e kaluar.
Shqetësimet e shtuara për sigurinë kanë ndikuar bizneset në të gjitha sektorët. Pas vrasjes së Brian Thompson, kompani si CVS Pharmacy dhe Anthem Blue Cross Blue Shield hoqën fotografitë dhe biografitë e drejtuesve të tyre nga faqet zyrtare, sipas një raporti nga firma këshilluese për aksionarët, Glass Lewis.
Kompanitë kanë zbatuar gjithashtu politika më të rrepta udhëtimi për drejtuesit. Për shembull, kontraktori i mbrojtjes Lockheed Martin ka urdhëruar që drejtori ekzekutiv të përdorë ekskluzivisht avionët privatë të korporatës.
JPMorgan ka shpenzuar 882 mijë dollarë për sigurinë e Jamie Dimon në vitin 2024, nga 866 mijë dollarë në 2023 dhe 761 mijë dollarë në 2022, sipas deklarimeve.
Grupi mediatik Fox ka raportuar një rritje vjetore të kostove për sigurinë në shtëpi për CEO-n Lachlan Murdoch që nga viti 2020, duke përmendur ndjenjat e forta publike ndaj transmetimeve të tij, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore.
“Më parë, drejtuesit sulmoheshin nga dikush me një pakënaqësi personale, si një punonjës i zhgënjyer apo ish-partner biznesi, por tani dhuna është drejtuar ndaj lidershipit të lartë të kompanive,” tha Lianne Kennedy-Boudali, konsulente për sigurinë ekzekutive në firmën globale të konsulencës për rreziqe, Control Risks.
Përveç kërcënimeve për vrasje, firmat e sigurisë po kërkohen të mbrojnë nga tentativa për rrëmbim, sulme në banesë dhe përndjekjet. Drejtuesit përballen edhe me kërcënime kibernetike, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për të krijuar “deepfake” zanore që miratojnë transferime fondesh në destinacione të pakthyeshme, si portofolat e kriptomonedhave.
Roderick Jones, themelues i grupit të sigurisë ekzekutive Concentric, tha se çdo kompani që kombinon “pakënaqësi të thellë publike me një bazë të gjerë aksionarësh dhe drejtues të dukshëm, tani përballet me një profil rreziku më të lartë”.
Themeluesit dhe investitorët e kriptomonedhave kanë qenë ndër të parët dhe më entuziastët në adoptimin e masave të sigurisë. Coinbase ka shpenzuar 6.2 milionë dollarë për sigurinë personale të CEO-së Brian Armstrong vitin e kaluar.
Një seri tentativash për rrëmbim të drejtuesve të kriptos dhe familjeve të tyre ka shtuar ndjesinë e rrezikut në Europë dhe SHBA.
Ky kërcënim është pjesërisht i nxitur nga një “narrativë negative e vazhdueshme ndaj drejtuesve të teknologjisë dhe politizimi i sektorit në përgjithësi,” sipas Konstantin Richter, themelues i kompanisë së kriptove Blockdaemon, me vlerë 3.3 miliardë dollarë. “Sa herë që tregu rritet, gjërat bëhen të çuditshme,” shtoi ai. “Të mbash profil të ulët është thelbësore.”