Prokuroria në Serbi pretendon se Milan Radoiçiç i bleu armët në Bosnje e i dërgoi në Kosovë, ku u krye sulmi në fshatin Banjskë.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiçin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.
Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se me disa persona të panjohur, kanë kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Sipas Prokurorisë, Radoiçiç dyshohet se “ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.
Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit, më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.
Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Deklarata e prokurorisë serbe bie në kontradiktë me deklaratat e organeve në Kosovë, që thanë se kanë zbuluar fakte se shumë prej armëve të përdorura në sulmin terrorist në veri të Kosovës kanë dalë nga ushtria serbe. Autoritetet në Kosovë thanë gjithashtu se grupi prej rreth 30 personash u trajnua në bazat e ushtrisë serbe.