
Një video virale që tregon të ashtuquajturën "vrasje për nder" të një çifti të akuzuar për një lidhje jashtëmartesore ka shkaktuar zemërim kombëtar në Pakistan.
Sipas mediave të huaja, videoja tregon gruan, Bano Bibi, të cilën, vëllai i saj e qëllon tri herë në shpinë, përpara se ajo të bjerë në tokë.
Ai më pas qëllon dhe vret burrin me të cilin Bibi akuzohej se kishte një lidhje jashtëmartesore, Ehsan Ullah Samalani.
Pasi videoja, e filmuar në provincën Balochistan të Pakistanit, u bë virale, policia arrestoi 16 persona, përfshirë një kryetar fisi dhe nënën e gruas. Nëna, Gul Jan Bibi, tha se vrasjet u kryen nga familja dhe pleqtë vendas bazuar në “traditat shekullore të Baloch” dhe jo me urdhër të kryetarit të fisit.
“Ne nuk kemi bërë asnjë mëkat. Bano dhe Ehsan u vranë sipas zakoneve tona”, tha ajo në një video që u bë gjithashtu virale.
Ajo tha se vajza e saj, e cila kishte tre djem dhe dy vajza të sajat, ishte arratisur me Samalani dhe ishte kthyer 25 ditë më vonë. Policia theksoi se vëllai i vogël i Bibi, i cili qëlloi çiftin, mbetet i lirë. Videoja shkaktoi zemërim në internet, me hashtagje të tilla si #JusticeForCouple dhe #HonourKilling që u bënë trend.
“Vrasjet për nder” në Pakistan u bënë të paligjshme në vitin 2016, Komisioni i të Drejtave të Njeriut i Pakistanit raportoi të paktën 405 në vitin 2024, shumica e të cilave gra të vrara nga të afërm që pretendonin se mbronin nderin e familjes.