Është ndarë nga jeta në Krasnodar të Rusisë ushtaraku i njohur shqiptar, gjeneral-marjori Jani Kiço Lufi.
Lajmin e ka bërë me dije ambasada ruse në Tiranë, duke shprehur njëkohësisht ngushëllimet për ndarjen nga jeta të tij.
Pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazistë në fund të nëntorit 1944, Jani Lufi vendosi ta lidhë fatin e tij me shërbimin në Forcat e Armatosura. Më vonë, në mesin e kadetëve dhe oficerëve të rinj shqiptarë, ai u dërgua për të studiuar në BRSS.
Për shkak të rrethanave të vështira që lidhen me prishjen e marrëdhënieve diplomatike sovjetiko-shqiptare në vitin 1961, ai vendosi të qëndronte në BRSS dhe të vazhdonte karrierën e tij ushtarake atje. Në vitin 1962 u diplomua në Akademinë Ushtarake “M.V. Frunze”. Më pas ai shërbeu në pozicione të ndryshme komanduese. Në vitin 1983 iu dha grada e gjeneral-majorit. Ne tërësi, Jani Lufi shërbeu në radhët e ushtrive shqiptare dhe sovjetike për 48 vjet të jetës së tij.
Në vitin 2003, në Rusi u botua autobiografia e tij “Nga një partizan shqiptar në gjeneral sovjetik”, e cila më pas u përkthye në shqip. Jani Lufi, me gjithë moshën e tij të kaluar, deri në ditët e fundit ka kryer punë patriotike e edukative me rininë, ka mbajtur kontakte me veteranë dhe organizata publike në Krasnodar, ka zënë një pozicion aktiv jetësor dhe ka qenë shembull për qytetarët e vendit tonë.