Presidenti i Rusisë Vladimir Putin thotë se do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë Ukrainës, nëse vendos të përdorë municione shpërthyese në fushën e betejës.
Vetëm pak ditë më parë, ushtria ukrainase mori ngarkesën e parë me municione thërrmuese nga SHBA.
“Nëse Ukraina fillon të përdorë municione thërrmuese, Rusia rezervon të drejtën të përgjigjet në përputhje me rrethanat”, ka deklaruar Putin gjatë një interviste televizive.
Municionet thërrmuese janë predha që shpërthejnë në ajër duke u shpërbërë në qindra bomba të vogla të cilat targetojnë një zonë të madhe. Ato janë të ndaluara nga shumë shtete për shkak se nuk diskriminojnë në fushë betejë, çka do të thotë se rrezikojnë popullsinë civile.
Putin ka thënë se Rusia ka lloje të ndryshme të këtyre municioneve, të cilat ka zgjedhur të mos i përdorë. Një deklaratë që është e pavërtetë, pasi qindra raketa me municione thërrmuese kanë rënë mbi Ukrainë gjatë më tepër se një vit luftë.
“Rusia ka rezerva të mëdha me lloje të ndryshme municionesh thërrmuese. Deri më tani nuk i ka përdorur, edhe përkundër mungesës së municioneve në pika të caktuara. Ukraina shpenzon 5-6 mijë predha 155 mm në ditë. SHBA prodhon 10-15 mijë në muaj. Furnizimi me municione thërrmuese për Ukrainën është një hap i dëshpëruar dhe hipokrit për SHBA-në”, deklaroi Putin.