Aktivistja britanike, Ruth Herbert po përfundon një ecje më këmbë prej gjashtë muajsh e gjysmë, nga Londra në Stamboll, për të mbledhur fonde për ndihma mjekësore për palestinezët.
Duke u nisur nga shtëpia e saj, në Arnside më 2 maj 2025, 52-vjeçarja ka kaluar nëpër 12 vende, përfshirë Francën, Zvicrën, Italinë, Shqipërinë dhe Greqinë, përpara se të mbërrinte në Turqi.
Ajo e quan këtë rrugëtim ”Marshimi i madh për Palestinën” dhe deri tani ka mbledhur rreth 50 mijë paund.
”Idenë për marshimin e kisha me qëllim mbledhjen e fondeve”, tha Herbert, duke shtuar se e ka motivuar dëshira për të ndihmuar palestinezët dhe për të bërë diçka më shumë sesa thjesht pjesëmarrja në protesta.
Ajo mbështet organizatën bamirëse ”Medical Aid for Palestinians” dhe dëshiron të takohet me njerëz në Evropë dhe më gjerë që ndajnë të njëjtat vlera.
Herbert theksoi se çdo veprim i vogël ka rëndësi.
”Kur të gjithë bëjmë diçka, krijojmë një valë së bashku. Kjo i bën njerëzit të ndihen të lidhur dhe të mbështetur”, tha ajo.
Sipas saj, ndihma dhe rezistenca duhet të jenë afatgjata, sepse çdo ndryshim kërkon kohë dhe vendosmëri.
”Njerëzimi po vihet në provë me Palestinën. Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shohim se si njerëzit shkatërrohen dhe zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Duhet të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi”, shtoi aktivistja, duke theksuar nevojën për paqe dhe drejtësi për Palestinën.
Ajo përshkroi udhëtimin si fizikisht sfidues, por edhe burim krenarie.
Gjatë rrugës, Herbert ka takuar shumë njerëz të ndryshëm dhe ka dëshmuar akte të bujarisë, përfshirë ofrimin e vakteve dhe akomodimin falas.
Herbert tha se kthimi në shtëpi do të jetë një ndryshim i madh pas gjashtë muajsh rrugëtim, por planifikon të udhëtojë me tren për të reflektuar mbi arritjet e saj para se të takohet me familjen në Londër.