Guido Olimpio dhe Irene Soave - Corriere della Serra
Shokët e shoqet e klasës së tij, ndoshta mes tyre dhe bullizuesit e tij, nuk janë kthyer më në klasë njëjtë si më parë. Duket sikur Artur A., vrasësi i cili cilësohet si vrasësi më i egër i Austrisë, nuk e ka lënë kurrë atë klasë. Madje, masakra e tij e djeshme nisi pikërisht nga kjo klasë, ku kishte ndjekur gjimnazin, por që nuk e përfundoi kurrë.
Spekulimet e para që kanë qarkulluar në rrjete sociale dhe në media — dhe që policia premton t’i “verifikojë thellësisht”, përshkruajnë dy vitet e gjimnazit të Artur A., i cili vdiq dje në moshën njëzet e një vjeçare pasi u “hakmor”, si të shkatërruara nga bullizmi. Nga ana tjetër, sipas deklaratave të para të policisë, motivet ideologjike për masakrën që kreu dje duket se janë përjashtuar tashmë. Ende mbeten për t’u kontrolluar celulari dhe kompjuteri i tij. Në letrën që kishte lënë mbi tavolinën e dhomës së tij, në një periferi të Graz-it, ai i jep lamtumirën prindërve; por “nga ai tekst i shkurtër nuk mund të nxirret asnjë shpjegim tjetër, as nga kontrolli i dhomës së tij deri tani”, tha dje në një konferencë shtypi shefi i policisë.
“Një fantazmë”, e quan gazeta austriake Der Standard: nuk kishte rrjete sociale, e paimagjinueshme për një të ri të moshës së tij. Nuk kishte precedentë penalë dhe ishte i njohur për autoritetet lokale vetëm për dy arsye: vitin e kaluar ishte regjistruar në një qendër punësimi lokal dhe kishte ndjekur një kurs. Dhe kishte marrë lejen e armës për një Glock që kishte blerë së fundmi dhe për pushkën e tij.
Jo se në Austri, siç po polemizojnë shumë njerëz në këto orë, është e vështirë ta marrësh atë. Artur A., si gjithë të tjerët, kishte kaluar pa u vënë re dy fazat e përzgjedhjes: një test për aftësi dhe një intervistë. E gjithë procedura zgjat maksimumi dy-tre orë, dhe sot po shtrohet pyetja nëse kjo është një pengesë e mjaftueshme për të parandaluar që dikush si Artur A. të marrë në dorë një armë zjarri.
Lehtësia e qasjes ndaj armëve, përveç të tjerash, është një nga përbërësit më të zakonshëm të masakrave në shkolla, një “format” që jemi mësuar ta shohim si amerikan, por që gjithnjë e më shumë po përsëritet edhe në Evropë. Ndër përbërësit e tjerë është edhe detaji. ende për t’u verifikuar, i bullizmit që ai kishte përjetuar në rini.
Ekspertët, veçanërisht ata amerikanë, janë të ndarë nëse bullizmi dhe përndjekja mund të konsiderohen motivi kryesor i masakrave të tilla. Disa e shohin si një shkak të rëndësishëm, të tjerë mendojnë se është vetëm një përbërës mes të tjerash (siç është edhe qasja e lehtë në armë ose problemet e paidentifikuara mendore). Një tjetër pikë është që autorët e këtyre masakrave shpesh e konsiderojnë veten viktima të padrejtësive, nuk ka rëndësi sa të vërteta janë dhe mendojnë se i është bërë një e keqe nga të tjerët: shkolla, shoqëria, shteti. Në disa raste janë zbuluar kontakte në rrjet mes autorëve të sulmeve të tilla.
Së fundmi, vetëvrasja e autorit është e zakonshme: për disa analistë, akti i dhunshëm, përveç se synon të tjerët, ka edhe këtë si objektiv përfundimtar, ose me dorën e vet, ose përmes policisë. Dhe me shumë gjasa ky është edhe rasti i Artur A., që kishte dalë nga shtëpia herët në mëngjes, me letrën e lamtumirës për prindërit tashmë të shkruar dhe lënë mbi tavolinë.
“Ndoshta ky njeri ishte pjesë e një fati”, u tha dje në një nga shërbesat përkujtimore fetare të mbajtura në Graz, në kishën e Sankt Vinzenz. “Ndoshta realizoi një plan të parashkruar”. Fat, hakmarrje, çmenduri: hetimet në orët e ardhshme do të zbulojnë gjithçka.