Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për unitet mes Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, duke paralajmëruar se një qëndrim i dobët ndaj Rusisë mund të hapë rrugën për konflikte të reja në të ardhmen.
Deklaratat u bënë pas samitit të Koalicionit të Vullnetarëve, ku mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, raporton Corriere della Sera.
“Ka vetëm një shtet që propozon një paqe që do të ishte e barasvlershme me kapitullim, dhe kjo është Rusia. Por nëse sot jemi të dobët ndaj saj, po përgatisim konfliktet e nesërme”, u shpreh Macron.
Ai shtoi se “nuk mund të rreshtohemi krah ligjit të më të fortit”, duke theksuar se një rend i tillë ndërkombëtar nuk do të bazohej më në të drejtën, por në forcë.
Macron theksoi se janë të papranueshme kërkesat e Putin që minojnë integritetin territorial të Kievit.
Lideri francez ritheksoi se qëllimi është një paqe solide dhe e qëndrueshme, e cila duhet të paraprihet nga lirimi i të burgosurve dhe të pafajshmëve dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve.
Në prag të vizitës së Zelenskyt në Uashington, Macron njoftoi se udhëheqësit evropianë do të kërkojnë sqarime nga presidenti amerikan, Donald Trump, mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Dua të jem shumë i qartë mbi garancitë që duam, mbi hapat e ardhshëm dhe mbi mënyrën sesi do të organizohen takimet e ardhshme me Putinin, SHBA-në, Ukrainën dhe evropianët”, tha ai në hapje të videokonferencës së liderëve evropianë.
Macron theksoi se siguria për Kievin duhet të jetë e fortë, duke shtuar se nuk mund të ketë diskutime territoriale pa pjesëmarrjen e plotë të udhëheqjes ukrainase.
“Gjithë puna brenda Koalicionit të Vullnetarëve bëhet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe mbi këtë nuk mund të ketë ndarje mes SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës”, përfundoi ai.