
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është përplasur me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, për shkak të mungesës së municioneve që, sipas raportimit të Washington Post, po kufizon opsionet ushtarake të Washington-it ndaj Iranit.
Duke cituar dy persona në dijeni të bisedës, gazeta amerikane shkruan se përballja ndodhi të premten në Camp David, ku Trump i kërkoi llogari Hegseth-it për rezervat e pakta të armëve, duke shprehur habinë se përse ishte lënë të besonte se problemi ishte zgjidhur.
Sipas burimeve, mungesa e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe e interceptorëve të mbrojtjes ajrore ka qenë një nga arsyet që Trump ka hequr dorë ditët e fundit nga sulme të tjera të mëdha ndaj Iranit.
Presidenti deklaroi të hënën se kishte urdhëruar dhe më pas anuluar “sulmin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore”, ndërsa priste zhvillime të reja në lidhje me negociatat për Ngushticën e Hormuzit.
Raportimi thekson se, megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar marrëveshje të reja për prodhimin e municioneve, përfshirë raketat Patriot, prodhimi i tyre mund të zgjasë deri në dy vjet.
Gjatë muajit të parë të konfliktit, ushtria amerikane përdori mbi 850 raketa lundruese Tomahawk, më shumë se 1 mijë raketa Patriot dhe THAAD, si edhe mbi 1 mijë e 300 raketa taktike ATACMS. Sipas burimeve të gazetës, rezervat e raketave ATACMS janë tashmë pothuajse të shteruara.
Mungesa e interceptorëve ka ndikuar edhe në mbështetjen për Ukrainën, e cila, sipas artikullit, po përballet me mungesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore, ndërsa rezervat perëndimore janë gjithnjë e më të kufizuara.