NATO është në gjendje të lartë gatishmërie për raketat ruse që kanë rënë në Poloni duke shkaktuar dy të vdekur pas një shiu prej më shumë se 100 raketash që shpërthyen pasdite në Ukrainë, në sfidën e pafundme të Vladimir Putin ndaj botës, ndërsa mbahej samiti G20. Është hera e parë që një vend i Aleancës goditet direkt në konflikt.
Zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Muller sapo ka dhënë një konferencë për shtyp në kryeqytetin Varshavë. Ai tha se qeveria po rrit nivelin e gatishmërisë së ushtrisë. Kjo si përgjigje të shpërthimit pranë kufirit të saj me Ukrainën. Muller konfirmoi se 2 persona ishin vrarë në incident. Ai u tha gazetarëve se qeveria po shqyrtonte nëse do të aktivizonte nenin 4 të Traktatit të NATO-s. Kjo do të nënkuptonte mbajtjen e një takimi të anëtarëve të NATO-s pasi po kërcënohej “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike ose siguria”.

Ka shumë shqetësime se shpërthimi i raketave në Poloni mund të përbëjë një shkelje të nenit 5 të NATO-s. Kjo nëse konstatohet se shkak për vdekjen e 2 personave është bërë një sulm rus. Në Nenin 5, traktati themelues i NATO-s përqendrohet në mbrojtjen kolektive. Pra, nëse sulmohet një nga shtet anëtare, pjesa tjetër i del në mbrojtje dhe Aleanca vepron si një e tërë. Neni 5 u miratua në një kohë kur blloku ishte nën kërcënimin e një sulmi nga ish-Bashkimi Sovjetik.
“Mbrojtja kolektive do të thotë që një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve”, thuhet në këtë nen.
Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë nga NATO që kur u nënshkrua në vitin 1949. Kjo ndodhi një ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në ndërtesat e Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit në SHBA.
Deri tani Polonia ka deklaruar se po mendon aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, i cili parashikon se palët do të konsultohen së bashku dhe vendosin nëse integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre është nën kërcënim.